Dita (ndërkombëtare) e hashashit

20/04/2016 00:00

Për të gjithë fansat e barit, 4/20 është një numër domethënës, ose më saktë është “dita e hashashit”.

Por çfarë është 4/20? Pse festohet nga përdoruesit e hashashit dhe ç’lidhje ka ky numër me barin?

Së pari, 4/20 i referohet 20 prillit sipas sistemit amerikan të vendosjes së muajit e më pas datës.

Së dyti, numri 420 ishte kodi i përdorur nga policia amerikane për hashashin në aksionet për kapjen e trafikantëve dhe përdoruesve. Këta të fundit e morën këtë kod dhe e përshtatën sipas mënyrës së tyre; 4/20.

Kjo është pista kryesore që shpjegon këtë datë, por ka edhe të tjera, siç është ajo që 420 e lidh me një këngë të Bob Dylan.

Megjithatë, Huffington Post jep një tjetër variant dhe e lidh këtë datë me një grup gjimnazistësh të San Rafael High School në Kaliforni.

Sipas kësaj gazete, në 1971 një grup prej pesë nxënësish lanë takim në orën 04:20, fill pas përfundimit të aktiviteteve sportive shkollore, për të ‘tymosur’. Grupi e quajti veten “The Waldos” dhe takohej gjithmonë në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, por me numër që shtohej vazhdimisht.

Kështu u shpërnda 04:20 si koha më e përsosur për të tymosur hashash dhe 420 u bë numri sinonim i marijuanës.

Top Channel