Plot 324 vëzhgues dhe 12 ekspertë të OSBE-ODIHR-it do të monitorojnë zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, që janë caktuar të mbahen më 5 qershor. Monitoruesit e parë, 24 të tillë, do të shpërndahen në të gjithë vendin më 13 prill, kurse 300 të tjetrët do të mbërrijnë në Maqedoni disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Ne jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet sipas metodologjisë së vendosur nga OSBE-ODIHR-i. Ne do t’i vlerësojmë zgjedhjet në bazë të standardeve të OSBE-së dhe standardeve të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, tha Jan Petersen, shef i misionit të OSBE-ODHIR-it për zgjedhjet në Maqedoni.

Kryesuesit e misionit të OSBE-ODIHR-it i kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e 5 qershorit zyrtarisht ditën e enjte, megjithatë ata thonë se do të kenë parasysh edhe zërat për shtyrjen e sërishme të datës së votimeve.

“Zgjedhjet janë caktuar të mbahen më 5 qershor dhe unë nuk kam arsye, që të flas më tepër në këtë drejtim. Ne do t’i bëjmë përgatitjet tona për këtë datë, por nëse ndodh diçka tjetër, do ta kemi parasysh edhe atë”, tha më tej Jan Petersen.

Misioni i OSBE-ODIHR-it nuk do të përfshihet në procesin e KSHZ-së për kontrollin e votuesve të dyshimtë në terren, kurse vlerësimet për listën zgjedhore do t’i bëjë në raportin përfundimtar për zgjedhjet në Maqedoni.

Top Channel