Jahjaga takon Biden: Do vazhdojmë dialogun me Serbinë

23/03/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u prit këtë të mërkurë në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti amerikan Joseph Biden, me të cilin diskutoi për konsolidimin e shtetit kosovar, situatën e sigurisë dhe përpjekjet e vendit për të thelluar reformat politike dhe ekonomike.

Presidentja Jahjaga i shprehu mirënjohjen e saj administratës amerikane për përkrahjen e dhënë ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe për forcimin e pozitës së shtetit ballkanas në arenën ndërkombëtare.

Jahjaga tha se, me gjithë vështirësitë që i kanë dalë përpara, Kosova ka qëndruar e palëkundur në tetë vjet shtetësi për të përmbushur përgjegjësitë e saj.

Ajo nënvizoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, si alternativën e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon dhe për të shpejtuar procesin e integrimeve euroatlantike.

Presidentja po ashtu theksoi nevojën që ky proces të përqëndrohet edhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani me ndërmjetësimin e BE-së.

Gjithashtu, presidentja premtoi angazhimin e Kosovës për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, në veçanti me përballjen me fenomenin e përfshirjes së qytetarëve kosovarë në radhët organizatave terroriste në Siri dhe Irak.

Top Channel