Për shkak të politizimit të Gjyqësorit në Maqedoni, partia opozitare PDSH propozon amnisti të përgjithshme për qytetarët, që – sipas kësaj partie, – nënkupton drejtësi për shqiptarët e dënuar padrejtësisht nga gjykatat maqedonase dhe shlyerjen e borxheve, që qytetarët kanë ndaj shtetit.

Kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi premton se, një propozim i këtillë do të miratohet nga qeveria e re, që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, nëse PDSH-ja do të jetë pjesë e saj.

“Amnistia e përgjithshme propozohet për shkak se, tashmë është e qartë që drejtësia në Maqedoni është e kapur dhe këtu nuk ka kurrfarë diskutimi. Amnisti për vepra të rënda kriminale nuk do të ketë, por do të ketë kërkesë për rigjykim, ku bëjnë pjesë rastet ‘Monstra’ dhe gjykime të tjera, që kanë përfunduar me dënime të rënda për shqiptarët apo burgime të përjetshme”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Thaçi thotë se është e vështirë, që deri më 5 qershor të plotësohen kushtet, në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme të jenë demokratike. Gjithashtu, ai ka dyshimet e tij se lista zgjedhore mund të pastrohet nga votuesit e dyshimtë, deri në afatin e parashikuar të 7 prillit.

“Është shkaktuar një rrëmujë aq e madhe, saqë nuk dihet se çfarë po ndodh. Kjo flet për një mungesë të vullnetit politik të forcave kryesore, që përbëjnë qeverinë, dhe të institucioneve të shtetit për ta pastruar siç duhet listën”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Për të biseduar rreth zgjedhjeve dhe çështjeve të tjera aktuale në vend, kreu i PDSH-së është ftuar të martën në një takim nga ambasadorët e BE-së të akredituar në Maqedoni.

Top Channel