“Mallkimi” Ramsey, kush e ka radhën?

07/03/2016 00:00

Njerëzit më të shquar të botës duhet me të vërtetë të jenë të frikësuar, se mos “hija e vdekjes” u troket pas shpine, pasi “nxitet” prej golave të mesfushorit golashënues të Arsenalit, Aaron Ramsey.

Mund të jetë një koinçidencë, por sa herë që kapiteni i Uellsit shënon për “topçinjtë” e Londrës, një person i famshëm pritet që të ndahet nga jeta.

Ashtu ndodhi edhe këtë fundjavë, kur portieri i Tottenham Spurs, Hugo Lloris dështoi të ruante rrjetën të paprekur në “White Hart Lane”, pas tentativës së Ramseyt në pjesën e parë. Ndoshta në atë moment, dikush prej të famshmëve mund të ketë ndierë ndonjë drithërimë të akullt në trup, ndërsa vetëm pak orë më vonë u mësua ndarja nga jeta e ish-Zonjës së Parë të SHBA-ve, Nancy Reagan.

Në internet ka nga ata që pretendojnë se, nëse një portier shpëton portën e tij nga një gjuajtje e Aaron Ramseyt, ai ka shpëtuar gjithashtu edhe një të famshëm nga vdekja “e sigurtë”.

Por pse ndodh kjo? Koinçidenca i ka rrënjët prej 21 tetorit 2008, kur Ramsey shënoi golin e tij të parë për Arsenalin, kundër Fenerbahçes. Ditën pasardhëse, aktori i “Henry V”, David Lloyd Meredith u nda nga jeta. Në gusht të vitit 2009, Ramsey shënoi kundër Portsmouthit, ndërsa tri ditë më vonë Ted Kennedy humbi jetën. Megjithatë, deri këtu asnjë ide “tmerruese” nuk kishte lindur.

U desh të vinte maji i vitit 2011, kur “mallkimi” i golave të Ramseyt u bë publik. Vetëm pak pasi ai kishte shënuar në “Emirates” kundër Manchester United, numri një i listës së të kërkuarve nga Shtetet e Bashkuara, Osama bin Laden u shpall i vdekur.

Sërish në vitin 2011, më 2 tetor ekzaktësisht, uellsiani i shënonte gol Tottenhamit, ndërsa tri ditë më vonë u raportua ikja nga jeta e Steve Jobs. 17 ditë më vonë, më 19 tetor 2011, trajneri Arsene Wenger aktivizoi Ramseyn, si zëvendësues në minutën e 77 të ndeshjes, kundër Marsejës dhe sigurisht 13 minuta lojë dukeshin shumë pak në dispozicion të tij për të shënuar. Por, Arsenali u largua nga Franca me tri pikë dhe ditën pasardhëse, kur “topçinjtë” ktheheshin për në Londër, Muammar Gaddafi takohej me vdekjen.

Më 11 shkurt 2012, Ramsey shënon ndaj Sunderlandit. Frika se mund të shuhej një tjetër personalitet ekzistonte dhe jo pa shkak. Whitney Houston ishte “e ftuara” e radhës e kësaj “liste të zezë”.

Më 30 nëntor 2013, Ramsey u rikthye pas shumë kohësh të luante në vendlindjen e tij, kundër Cardiffit, ndaj të cilit shënoi një dygolësh. Po atë ditë, aktori i famshëm i “Shpejtësi dhe Çmenduri”, Paul Walker u përplas fatalisht me makinën e tij.

Ishte fillimi i sezonit 2014-2015, kur Ramsey shënon kundër Manchester Cityt në një ndeshje për “Community Shield”, apo siç njihet ndryshe Superkupa e Anglisë. Ditën pasardhëse rezultoi radha e aktorit komik Robin Williams, që na ka bërë aq shumë të qeshim e të qajmë njëkohësisht me rolet e tij.

Kjo është e shkuara, por le të ndalemi në sezonin aktual, ose më saktë në vitin 2016. Aaron Ramsey shënon rregullisht për Arsenalin. Pas golit ndaj Sunderlandit më 9 janar, David Bowie i thotë lamtumirë botës së gjallë. Më pas, uellsiani shënon ndaj Liverpoolit në “Anfield Road” dhe një ditë më pas ndahet nga jeta Alan Rickman. E fundit ishte ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, ndërsa ndjekës të shumtë në rrjetet sociale, me të drejtë ngrejnë pyetjen:

Kush e ka radhën?

FOTO GALERI
1/9

Top Channel