Pas dy muajsh pushim, fundjava risjell në ekranin e Top Channel spektaklin më të ndjekur të humorit. Pas provave të fundit dhe dy netëve “live”, e diela rezervon surprizat e sezonit të ri, ku kuriozitetit i bashkohet edhe pritshmëria e madhe e publikut, një sfidë që “Portokalli” tanimë e përballon me sukses prej vitesh.

“Janë pikërisht pritshmëritë e mëdha të publikut që na rrisin shumë përgjegjësinë në fillim të sezonit, por padyshim ne kemi punuar mjaftueshëm për t’i kënaqur ata. Personazhe të reja kemi shumë, kemi aktorë të rinj që marrin pjesë, madje edhe shumë të vegjël, të cilët do të jenë surprizë për publikun shqiptar”, tha Altin Basha, regjisor i “Portokallisë”.

TCH: Flori, pse vetëm?
Florian Binaj: Vetëm, sepse nuk po gjej se ku ka ikur Geni.
TCH: Jo, prap bashkë?
Geni: Bashkë the?! Ne presim një fëmijë (qesh).

Me një galeri të tërë karakteresh, që – veç përditshmërisë – kanë në qendër të humorit aktualitetin politik, vijnë figura të reja, të cilat do t’i japin freski sezonit të ri të “Portokallisë”, ku nuk do të mungojnë personazhet e dashura.

“Tanimë ne kemi një grup aktorësh shumë të konsoliduar, të cilët janë krenaria e humorit shqiptar. Ata garantojnë cilësi për vet eksperiencën që kanë krijuar në ‘Portokalli’”, tha më tej regjisori Altin Basha.

TCH: Burime pranë qeverisë na thanë se këtë vit ka lëvizje te Tatimet?
Brisida e Tatimeve (aktorja): Në asnjë mënyrë, unë isha dhe do të mbetem deri në fund të mandatit. Tani, ku qëndron problemi këtu? Largohem unë, kanarina pushverdhë e Rilindjes? Largohem unë, bilbili me zë të ëmbël i Rilindjes? Sikur nuk ka kuptim…

Top Channel