Kosovë, dështon zgjedhja e rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”

04/03/2016 00:00

Universiteti publik i Prishtinës “Hasan Prishtina” mbetet pa rektor. Votimi për zgjedhjen e rektorit të ri ka dështuar pasditen e së premtes, për shkak se asnjë prej dy kandidatëve të mbetur në garë nuk arriti të siguronte votat e duhura.

Për emërimin e rektorit duhen 5 vota pro, nga 9 anëtarë sa ka këshilli drejtues i UP-së. Por, mungesa e një anëtari bëri që në fund, votat të rezultonin të barabarta 4-4 për secilin kandidat, duke e çuar procedurën e shpalljes së konkursit drejt ripërsëritjes.

“E riprovojmë javën e ardhshme”, tha Ismet Salihu, kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Në garë ishin 4 kandidatë dhe, pas raundit të parë të votimit mbetën vetëm dy: Lul Raka, doktor shkencash në mjekësi, por i njohur në opinion si mjeku kosovar që iu bashkua betejës kundër virusit të Ebolës në Liberi; si dhe Naser Sahiti, doktor shkencash në inxhinieri mekanike.

Frejtuesit e këtij institucioni arsimor janë vënë disa herë në qendër të vëmendjes vitet e fundit, kur u detyrua të dorëhiqej me protesta studentore edhe rektori Ibrahim Gashi në vitin 2014, ndërsa pasuesi i tij, Ramadan Zejnullahu mori përkrahje nga politika dhe opinioni publik, kur u shkarkua padrejtësisht nga Këshilli Drejtues vitin e kaluar.

Top Channel