Maqedoni, Ahmeti do të dëshmojë në Prokurori për “Kosmos”-in

01/03/2016 00:00

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin “Kosmos”, që ka të bëjë me shembjen e objektit të banimit në pronësi të ish-deputetit Fiat Canovski, nga ana e qeverisë.

Nga kabineti i Ahmetit thonë se, ai mbështet fuqishëm punën e Prokurorisë Speciale dhe se, do të paraqitet si dëshmitar të enjten, për të kryer detyrën e tij qytetare në përkrahje të institucioneve të pavarura.

Nga Prokuroria Speciale nuk japin informacione, nëse kanë ftuar për të dëshmuar edhe zyrtarë të tjerë nga partia shqiptare BDI, që është pjesë e qeverisë së Maqedonisë.

Rasti “Kosmos” ishte pjesë e aferës së përgjimeve. Udhëheqësi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev publikoi vitin e kaluar disa biseda të përgjuara telefonike, ku dëgjohej ish-kryeministri Nikola Gruevski, duke bërë plane me ish-ministrin e Transportit, Mile Janakievski, për rrënimin e objektit të banimit të Fiat Canovskit.

Sipas Zaevit, shembja e këtij objekti, për ndërtimin e të cilit ishin shpenzuar miliona euro, u bë në shenjë hakmarrjeje ndaj ish-deputetit Fiat Canovski, i cili në vitin 2011 braktisi koalicionin me Gruevskin dhe iu bashkua opozitës maqedonase.

Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga Gruevski, i cili ka deklaruar se, gjatë rrënimit të objektit të quajtur “Kosmos” janë respektuar të gjitha procedurat.

Top Channel