“Bollywood”, në “Imperial”

18/02/2016 00:00

Renditet menjëherë pas “Hollywood”-it, si industria më e madhe e prodhimit të filmave në botë. Bëhet fjalë për “Bollywood”-in, i cili prej kohësh është përqafuar nga audienca botërore, e që së fundmi po pëlqehet edhe në vendin tonë.

Që prej së enjtes në mbrëmje, ka nisur projeksionet i pari film indian, në rrjetin e kinemave “Imperial”.

“Pasi kemi edukuar me sukses shijen e publikut shqiptar me prodhimet e Hollivudit, rrjeti Imperial po fillon tashmë një traditë shumë të këndshme dhe të kërkuar nga audienca, me filma të Bollivudit, apo filmat indianë. Këtë javë do të vijmë me një film që është në majat e audiencës në kinematografinë indiane”, tha Altin Prifti.

“Sanam re”, që çel edhe siparin e filmave indianë, është një romancë me kërcime e pamje të mrekullueshme, xhiruar nga ajri, deti e toka; një film që sjell teknologji të re produksioni, larg filmave klishe indianë, që transmetoheshin në ekranin shqiptar vite më parë.

“Është një romancë, quhet filmi i Shën Valentinit për publikun indian, por që ka skena të jashtëzakonshme e shumëngjyrëshe, me muzikë të shkëlqyer dhe me pamje, që edhe Hollivudi mund t’i kishte zili”, tha më tej Altin Prifti.

Në Europë, në vende si Anglia, Gjermania, Franca e Holanda, filmat indianë janë bërë shumë popullorë, duke u renditur në dhjetëshen e më të pëlqyerve nga audienca. Ndërsa në Amerikë, statistikat tregojnë se, kinematë fitojnë më shumë se 100 mln dollarë në vit nga projeksionet e këtyre filmave.

Top Channel