Maqedoni, gazetarët: Mediet jo të lira, gënjejnë qytetarët

17/02/2016 00:00

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani ka deklaruar se, mediet në Shkup nuk shërbejnë për të informuar qytetarët, por për t’i gënjyer ata dhe për të lavdëruar qeverinë. Sipas tij, pushteti kontrollon pothuajse të gjitha mediet në vend, përmes publiciteteve qeveritare.

“Si kryetar i SHGM-së nuk ndihem mirë, që më duhet ta pranoj se në vendin tim nuk ka media të lira. Përkundrazi, kjo më shqetëson dhe më brengos”, tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Reformimi i medieve parashikohet në marrëveshjen e 2 qershorit, por partitë kryesore ende nuk po gjejnë kompromis për zbatimin e kësaj pike. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani u ka bërë thirrje politikanëve në Shkup, të pranojnë propozimet e ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedime, Peter Vanhoutte, për të zgjidhur problemin me politizimin e medieve.

“Për herë të parë kemi një mundësi të mirë, që me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve këtu tek ne, të miratojmë një ligj për rregullimin e çështjes së medieve në përputhje me rekomandimet europiane”, tha më tej Naser Selmani.

Ditë më parë, përfaqësuesit e opozitës thanë se, Qeveria e Shkupit, nën drejtimin e Nikola Gruevskit ka shpenzuar të paktën 20 milionë euro brenda 3 viteve, për propagandë në mediet më me ndikim në vend.

Top Channel