Breedlove viziton Kosovën, Jahjaga kërkon marrëdhënie formale me NATO-n

04/02/2016 00:00

Komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove ka vizituar të enjten Kosovën. Ai është pritur nga kryeministri, Isa Mustafa, dhe Presidentja, Atifete Jahjaga, e cila i kërkoi vendosjen e marrëdhënieve formale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s.

Ndërkohë, në një konferencë për shtyp me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Breedlove është shprehur edhe për të ardhmen e ushtrisë kosovare.

I pyetur nëse Serbia do të mund ta pengonte transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Forcë të Armatosur, komandanti tha se Kosova duhet ta zgjidhë këtë çështje me fqinjët e saj.

“Ne e kemi përsëritur shpesh përgjatë viteve se, do ta shohim të ndodhë këtë transformin, teksa Kosova e zgjidh këtë me fqinjët e saj dhe arrin marrëveshje me fqinjët. Ky mbetet qëndrimi ynë. Lajm i mirë është që FSK ka mundësi të shumta që të bashkëpunojë me KFOR-in, që të përfitojë nga përvoja, me qëllim që ta kryejë më mirë punën. Ne presim përsëri, që kjo të funksionojë me fqinjët dhe më pas ne do ta mbështesim nëpërmjet ushtrimeve dhe trajnimeve të përbashkëta”, tha gjenerali Philip Breedlove, komandant i NATO-s për Europën.

Ndërsa komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Miglietta deklaroi se, gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, pavarësisht zhvillimeve të fundit.

“Sa i përket arrestimit të 4 personave afër Manastirit të Deçanit, duhet të presim përfundimin e hetimeve. Policia e Kosovës është duke kryer hetimet në lidhje me këtë rast dhe na duhet të presim rezultatet e hetimit”, tha gjeneral-major Guglielmo Luigi Miglietta, komandant i KFOR-it.

Komandanti Miglietta bëri të ditur gjithashtu se, KFOR ka kryer një hetim lidhur me praninë e Xhandarmërisë serbe në Kosovë, pas raportimeve se kishin shkelur territorin afër Kamenicës. Ai tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi është vërtetuar që makina ishte në territorin e Serbisë.

Top Channel