Miratohet drafti për reformën në KLD

22/07/2014 00:00

Mazhoranca në komisionin e ligjeve miratoi, vetëm me votat e saj, projektligjin e disa deputetëve, që ndërhyn në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ajo që u vu re, pas prezantimit të projektligjit një javë më parë, ishin ndryshimet që vetë mazhoranca i bëri draftit të saj, pas sugjerimeve të OSBE-së dhe Unionit të Gjyqtarëve.

Neni, që hapi më shumë debat dhe u kundërshtua nga opozita, gjyqtarët dhe OSBE-ja, ishte detyrimi automatik i KLD-së për të pezulluar gjyqtarët, në rast se kundër tyre është regjistruar një procedim penal.

OSBE-ja sugjeroi pezullimin e gjyqtarit, vetëm pasi KLD-ja të jetë shprehur dakord dhe në rastet kur gjyqtari ka kryer një krim me dashje. Ajo që kanë ofruar socialistët është një zgjidhje e ndërmjetme, ku detyrimi automatik i KLD-së për të pezulluar gjyqtarët mbetet, por vetëm kur ata merren në cilësinë e të pandehurit, pra kur Prokuroria ngre zyrtarisht akuzë.

“Nëse drafti i ardhur ishte në rastin kur është regjistruar procedimi penal, duke pasur edhe gjithë sensibilitetet dhe komentet e bëra gjatë këtyre ditëve, propozimi që unë bëj është në rastin kur një gjyqtar merr cilësinë e të pandehurit. Në fakt, edhe nga pikëpamja kushtetuese, për të ruajtur balancat mes pushteteve, sigurisht për të hequr edhe merakun e abuzimit që mund të ketë në raste të caktuara ndaj gjyqtarëve, është logjike që pikërisht në këtë moment gjyqtari të pezullohet nga detyra. Pra, në momentin që merr cilësinë e të pandehurit dhe kur çështja dërgohet për gjykim”, u shpreh deputeti socialist, Armando Subashi.

Për përfaqësuesin e vetëm të opozitës, që votoi kundër, Nard Ndoka, ky projektligj nuk synon reformimin e drejtësisë dhe as zgjidhjen e disa problemeve akute në KLD, siç deklaroi kryetari socialist Fatmir Xhafaj.

Nard Ndoka: Kjo është një tentativë e kësaj mazhorance për të ushtruar presion ndaj sistemit të drejtësisë.

Fatmir Xhafaj: Kjo është reforma, apo ndërhyrja për të zgjidhur një situatë emergjente kolapsi, krize, në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ndryshimet që deputetët i bënë projektligjit të tyre për KLD-në, siç shprehet mazhoranca, rrisin transparencën e KLD-së dhe disiplinojnë funkionimin e këshillit, duke detyruar zbardhjen e diskutimeve dhe vendimeve brenda 5 ditëve, shqyrtimin e masave disiplinore brenda një muaji, mbledhjen më të shpeshtë të KLD-së dhe thirrjen e saj edhe nga ministri ose nga 5 anëtarë.

Top Channel