Shqip: Turizmi i Kulturës

07/07/2014 00:00

Turizmi kulturor i Shqipërisë ka qenë tema e emisionit “Shqip” në Top Channel, që në këto muaj vere i është përkushtuar pikërisht promovimit të atraksioneve turistike e kulturore të vendit.

Në ambjentet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, gazetarja Rudina Xhunga ka menaxhuar një panel të përbërë nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, si dhe gazetaret Ornela Islami nga TCH, Aida Tuci e revistës “MAPO” dhe Fatmira Nikolli nga “Gazeta Shqiptare”.

Duke iu përgjigjur interesit të përfaqësueseve të medias, ministrja Kumbaro ka folur për projektet që po zbatohen për ringjalljen e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, që prej vitesh ishte lënë në harresë.

“Është një muze në vartësi të Ministrisë së Kulturës dhe ma ka tërhequr vëmendjen para se të bëhesha ministre. Ka 4 vjet që rrinte mbyllur. Atëherë qeveria nxorri një fond prej 1 milion dollarë për rikonstruksionin e tij dhe ishte një ndër sfidat e Ministrisë së Kulturës së re, për ta kthyer këtë institut në duart e publikut. Shpresoj që deri në fund të gushtit ky muze do të jetë gati”, ka thënë Kubaro për t’ua lënë radhën pyetjeve të gazetareve.

Ornela Islami: Ajo që kam konstatuar gjatë këtyre viteve është mungesa e sinjalistikave. Njerëzit kanë filluar të frekuentojnë muzetë e galeritë, por për gjërat që janë jashtë Tiranës ka vështirësi për t’i arritur…

Kumbaro: Po shkëmbejmë informacione me Ministrinë e Turizmit dhe atë të Transportit. Kjo është një mangësi që jemi duke e plotësuar. Veç kësaj, vlerësoj se edhe mjetet informuese ne i kemi vënë në përdorim.

Rudina Xhunga: Po ciceron do të ketë?

Kumbaro: Po bëjmë një reformë të thellë strukturore. Jemi në një proces të thellë trajnimi të të gjithë personelit të vjetër dhe atij të ri. Është jetike të kemi njerëz profesionistë.

Duke vijuar rrëfimin e saj, ministrja Kumbaro ka vënë gjithashtu në dukje se një proces i posaçëm është në zhvillim për shpërndarjen e guidave turistike, kryesisht përmes internetit.

“Këto informacione, përveçse në faqen e MK i kemi shpërndarë tek agjencitë turistike. Por interneti është mjeti më i fuqishëm i informacionit dhe ne kemi përgatitur gjithçka në detaj”, ka thënë Kumbaro.

Ministrja ka shtuar se, një tjetër stimul për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore është një marrëveshje e nënshkruar së fundmi me BE dhe marrja e statusit të vendit kandidat.

“Marrëveshja “Creative Europe” e nënshkruar nga presidenti i KE, Barroso dhe kryeministri Rama është mes Shqipërisë dhe BE-së dhe nga një buxhet prej 1.5 mld euro mund të përfitojnë shumë vende. Gjithësesi, kjo është një punë e nisur më parë dhe jo e arritur brenda një jave. Ne nuk kemi pritur statusin. Tani, të gjitha subjektet e kulturës shqiptare mund të aplikojnë për të përfituar nga ky projekt”, ka bërë me dije Kumbaro.

Ornela Islami: A ka plane pastrimi të monumenteve, si kalanë e Tepelenës që është në gjendje të mjerueshme?

Kumbaro: Pastrimi nuk është vetëm për plehrat që të sheh syri, por edhe pastrimi i mureve të monumenteve nga myshqet, vegjetacioni e lagështira. Të gjitha muret rrethuese të Amfiteatrit në Durrës janë pastruar dhe të njëjtën gjë kemi bërë edhe në Berat.

Por problemi sipas ministres së Kulturës konsiston në faktin se për ruajtjen e trashëgimisë kulturore nuk mjafton vetëm kujdesi i institucioneve përgjegjëse. Për të arritur këtë, tha ajo, duhet një edukim gjithëpërfshirës për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve.

“Ne i marrim shumë seriozisht denoncimet. Mua më vijnë shumë denoncime në celular. Por është absurde të mendosh se vetëm një apo dy individë mund të mbajnë një sistem. Nëse vidhet diçka në një kishë, përgjegjës është ministri, por përgjegjësi i parë është ai që ruante objektin. Pra, duhet një edukim gjithëpërfshirës dhe një bashkëpunim. Kështu ka ndodhur me kishën e Balshit. Kemi hartuar një projekt për ta restauruar dhe po e ndjekim hap pas hapi me shoqërinë civile dhe pushtetin lokal. Së fundmi janë kapur disa trafikantë të cilëve u janë gjetur disa objekte të vjedhura nga kishat, mes të cilave një këmbanë e vjetër”, ka saktësuar Kumbaro.

Pjesa e dytë e emisionit ka vijuar me një panel të ri gazetaresh, me të cilat ministrja e Kulturës ka zhvilluar një “seancë” pyetje-përgjigje.

Alma Mile, “Panorama”: Thuhet se banorët e kanë të pamundur të mbrojnë monumentet e kulturës. Çdo të bëjë qeveria, do të ngrejë duart?

Kumbaro: Ne nuk do të ngremë duart. Ndaj 100 për qind me ju faktin që është një çështje e pazgjidhur, por zgjidhje ka. Ne po përpiqemi që këto probleme t’i zgjidhim me popullsitë lokale. Nëse ne i zgjidhim problemet në këtë mënyrë, kriminelët apo keqbërësit nuk do të guxojnë të prekin monumentet. Me rëndësi është edhe identifikimi i grupeve të monumenteve. Kishat janë pronë e kishës, por mirëmbajtja e tyre është detyrë e shtetit. Ne kemi bërë një marrëveshje me Kishën Ortodokse për të hartuar një listë të kishave në emergjencë. Puna ka filluar për kishën e Mesopotamit për shembull. Janë bërë projektet dhe lëvrimet.

Alma Mile: Kjo skemë e re a do të jetë efikase?

Kumbaro: Unë besoj se po, ndryshe nuk do të isha në këtë detyrë.

Po projekte me Kosovën keni?

Kumbaro: Pjesë e reformës sonë janë edhe disa projekte në bashkëpunim me Kosovën, për një hartë të përbashkët turistike. Projektet i kemi në letra me versionin e para viteve 90 dhe nuk është një punë e lehtë për t’u bërë. Lista e monumenteve ka nevojë për përditësim sepse disa monumente rezultojnë në letër por jo fizikisht dhe anasjelltas. Ka edhe shtëpi të vjetra të braktisura të cilave nuk u gjenden pronarët. Në reformën e re kemi identifikuar objektivat e ligjit për trashëgiminë. Po rishikojmë marrëdhënien e pronesisë mes shtetit dhe privatit për të gjetur formulën më të mirë për t’u kujdesur për këto objekte.

Do ketë shfaqje për turistët?

Kumbaro: TKOB ka përgatitur shfaqje, pastaj kemi kalendarin e përbashkët me Kosovën. Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit dhe institucione të tjera janë në fazë reformimi. Që ne të kishim një sezon veror shumë të pasur duhej që këto projekte të kishin mbaruar më parë. Por këto projekte do japin përgjigje në verën tjetër. Dua të theksoj se kalendari përbëhet nga ngjarje që vijnë nga iniciativa e lirë.

Kur do jetë muzeu i Durrësit gati?

Kumbaro: Jemi të varur nga proçedurat ligjore që kanë të bëjnë me blerjen e instrumentave të mirëmbajtjes. Dëshira ime është që deri në fund të gushtit të mund ta hapim.

Në pjesën e tretë të emisionit paneli i gazetareve ia ka lënë vendin përfaqësuesve të institucioneve të ruajtjes së monumenteve kulturore, të cilët kanë prezantuar nismat që po ndërmerren për të tërhequr jo vetëm sa më shumë turistë, por edhe për të edukuar brezat e ardhshëm me kulturën e pasur shqiptare.

“Kemi ngritur një grup pune për mirëmbajtjen e monumenteve të Durrësit. Të gjithë duhet t’i shohin mrekullitë e qytetit tonë. Kemi bërë një punë të mirë për pastrimin e vegjetacionit në mure dhe tani turistët kanë një arsye më shumë për të ardhur. Në dispozicion të tyre kemi vendosur ciceronë, ndërsa po vendosim edhe sinjalistikën. Ndërkohë, kemi bërë një marrëveshje me drejtoritë arsimore për realizimin e projekteve, në mënyrë që brezi i ri të edukohet me dashurinë për monumentet e kulturës”, ka deklaruar Ledion Lako, nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në Durrës.  

“Qeveria e re ka nisma të reja për fuqizimin e kulturës dhe Ministria e Kulturës ka programin e vetë edukativ dhe po punon me profesorë të njohur për ta realizuar atë. Po bashkëpunojmë kryesisht me ekspertët e trashëgimisë kulturore, që do t’i bëjnë brezat në ardhje më të përgatitur. Në kuadër të këtyre nismave kemi bërë që fundjava e fundit e çdo muaji të jetë falas për këdo”, ka sqaruar Melsi Ladi, drejtor i Muzeut Kombëtar në Tiranë.

“Kemi një potencial të madh objektesh e monumentesh, që mund të kthehen në një guidë turistike për gjithë Shqipërinë. Turistët përmes teknologjive të ndryshme mund të orientohen. Jam e bindur se shumë shpejt do të arrijmë një nivel kulturor shumë të lartë. Turistët duhet të futen edhe në zonat më të thella, sepse ne kemi një kala në çdo qytet, një kishë në çdo fshat, etj. Pasuria jonë është e paçmuar. Është mirë të njihemi dhe pastaj të krahasohemi”, është shprehur më tej Arta Dollani nga Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA