Si mund të ofrohet tregu i punës nga media? Shpesh të rinjtë dhe prindërit nuk kanë informacion se cilat janë kërkesat e tregut, çfarë vendesh pune ofrohen dhe ku mund të drejtohen edhe pse shifrat e papunësisë përllogariten në 30% të të rinjve pa punë.
Risi Albania ka ndërmarrë një nismë për të parë median si urë lidhëse ndërmjet të rinjve të moshës 15-29 vjeç dhe informacionit që ata kërkojnë për punë.
“Statistikat flasin vetë, aq sa janë të frikshme. Dhe paradoski tjetër është se, nëse bisedon me kompanitë e huaja në Shqipëri ose me kompani të mira shqiptare, një në dy problemet kryesore që ngrenë janë burimet njerëzore. Domethënë, kemi vende pune por nuk po gjejmë njerëzit e duhur”, deklaroi eksperti i medias, Lutfi Dervishi.
Informacioni për tregun e punës ekzsiton, por është sporadik dhe shpesh herë jo i kuptueshëm nga të gjithë, ndaj tregu i punës do të jetë një biznes i ri për median, që do të fokusohet më shumë për t’i orientuar të rinjtë.
“Projekti synon mbështetjen e biznesit të medias, ku subjekti do ketë rolin e lehtësuesit, nxitësit dhe bashkinvestitorit. Dhe kthimi i investimit është ngritja e një biznesi fitimprurës për median përmes ofrimit të informacionit mbi tregun e punës”, deklaroi Edlira Muedini, drejtuese e Risi Albania.
Ndërsa konsulenti Nazim Rashidi thekson se kjo është një mundësi e mirë e fitimprurëse për mediat, por njëkohësisht me impakt social tek të rinjtë.
“Të përcaktohet çfarë informacioni ka mbi tregun e punës. Disa shembuj janë informacionet e kërkuara në treg, apo mbi pagat. Pasi kemi zbuluar se shumë të rinj e prindër që mund të zgjedhin një profesion nuk kanë informacion sesa do të paguhen”, tha Rashidi.
Ekspertë të huaj kanë sjellë përvojën e tyre se si media në Europë ka një rol të rëndësishëm për të shpërndarë tregun e punës.
Top Channel