Një skuadër “Qytetare Nderi”!

17/06/2014 00:00

Klodjan Kasa, ende nuk kishte marrë dëftesën e Maturës, kur u bë “Qytetar Nderi” i Shijakut.

“Të them të drejtën ishte një emocion shumë i veçantë. Të mendosh që isha një 17-vjeçar, në hapat e para të adoleshencës, dhe u bëra krenaria e qytetit. Kur e mora nuk e besova, ishte një krenari shumë e veçantë për mua”, thotë Klodi.

Ai nuk e dinte që, të ishte pjesë e një qyteti aq të vogël, do i sillte një krenari kaq të madhe. Sikundër edhe Hasan Gurabardhit, që e la fushën e volejbollit, pasi festoi ditëlindjen e 43-të. Trofetë e tyre mbajnë emrin e skuadrës Erzen.

“Me të gjithë qytetarët e Shijakut, kur jemi bërë Qytetarë Nderi, kemi festuar bashkarisht, sepse ishte një mbështetje mbarëpopullore, fakti që ne u vlerësuam me një titull kaq të madh”, thotë Hasani.

Këta djem ishin krenaria e Shijakut! Mirënjohja për ta erdhi shumë shpejt. 6 lojtarët e ekipit, 2 vëllezërit Armando dhe Agron Duka, si presidentë, dhe trajneri legjendar i skuadrës, Lulëzim Alite, morën titullin “Qyetar Nderi”, pas shpalljes për të dytën herë kampion kombëtar!

Për 3 vite radhazi nuk pati kundërshtar, që të mund ta ndalte Erzenin e Shijakut. Ekipi i madh i qytetit të vogël, nga viti ’97 deri në ’99 fitoi të gjitha kupat e Republikës dhe u shpall 3 herë radhazi kampion kombëtar.

Të jesh kampion nuk është fat, por produkt i një pune shumëvjeçare, plot me pasion, të atyre që vunë gurin e parë. Nga një ekip krejt anonim, Erzeni sfidoi emra të njohur si Dinamo, Tirana e Partizani, me fitore historike.

“Kur kampionati kombëtar kishte ndeshje të veçanta, si me Dinamon e famshme të Asllan Rusit, Partizani i famshëm i Dashamir Fagut, Shkodra e Mjedës, Boriçit dhe Rroqit, netët e mia ishin pa gjumë, kisha shumë emocione. Të arrinim të luanim kundër këtyre gjigantëve, ishte vërtet shumë emocionale. Pavarësisht se emra të tillë, përfshi edhe Hysen Domin, ishin shumë më superiorë se sa ne, ata na kanë respektuar shumë ne shijakësve”, tha Hasan Gurabardhi.

“Një ndeshje që unë e kam në kujtesë dhe besoj se nuk do ta harroj gjithë jetën, ka qenë ajo me Lokomotivën e Durrësit, për të hyrë në kategorinë e parë. Kuptohet, privilegjet për këtë arritje ishin shumë të mëdha, duke llogaritur trajtimin, për atë kohë që ka qenë. Ishte një ndeshje që zgjati në mos gaboj 2 orë e gjysmë dhe në fund ne u shpallëm kampionë, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Një pallat i tejmbushur me shijakas, të gjithë të zhveshur deri në gjysmë të trupit, një tifozllik i jashtëzakonshëm”, tha Edmond Jazexhiu.

“Ne shkonim nëpër ambiente të ndryshme, sepse nuk kishim ku të stërviteshim. U stërvitëm vend e pa vend, qoftë në shi apo në diell, fusha ishte gjithë qymyr, ndërkohë që bazë materiale nuk kishte, kanë qenë të rralla, veçanërisht atletet kineze, pasi me atletet që prodhoheshin te ne ishin me goma shumë të forta dhe gjatë lojës mund të rrëshqisje e të bije mbrapsht. Edhe pse rrezikonim të thyenim kockat, ne ia dolëm të fitonim”, tha Hysen Xhani.

“I gjithë qyteti jetonte me volejbollin. Në shtëpitë tona flitej vetëm për volej, ashtu sikurse edhe kur dilnim jashtë. Koha ka kaluar, por, në përgjithësi, kur shkonim për të mbaruar punë diku neve na privilegjonin. Për çdo problem që kishim, problemet tona ishin të zgjidhura”, tha Artur Gjata.

E megjithë këtë, sot nuk ka mbetur tjetër nga Erzeni, përveç kupave dhe palestrës, në të cilën prej shumë pak muajsh, disa të rinj po kërkojnë të heqin pluhurin e kohës dhe të rikthejnë krenarinë e dikurshme.

Trajneri i ekipit të femrave, Gurabardhi, beson se në Shijak volejbolli është pjesë e ADN-së.

“Jam krenar që kam dalë nga ajo fushë dheu, nga ajo palestër e vogël e asaj shkolle. Nostalgjia fillon në qytetin e zemrës, në Shijak”, tha Hasani.

Megjithëse luan me kampionët e “Studentit”, Klodi nuk mund të fshehë nostalgjinë për ekipin, që u bë trampolina drejt suksesit. Ndoshta një ditë, pse jo, mësuesi i fiskulturës do i udhëheqë këta të rinj drejt suksesit të dikurshëm dhe titujve të nderit.

Top Channel