Saranda prezantohet në Prishtinë

06/05/2014 00:00

Një panair promovues për bregdetin e ka sjellë, simbolikisht, qytetin e Sarandës në Prishtinë.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, gjatë një vizite që po zhvillon në Kosovë, të martën u takua me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, në panairin e përbashkët të biznesit për turizmin dhe produktet vendore.

Çipa tha se lidhjet me shqiptarët e Kosovës shtohen përditë e më shumë, dhe se familjet nga Prishtina, të cilat kanë blerë banesa në Sarandë, tashmë janë edhe banorë të Sarandës.

“Saranda frekuentohet nga rreth 500 mijë turistë në vit, nga këta rreth 35% janë të huaj. Por, këtu nuk i kam përfshirë vëllezërit tanë kosovarë te turistët e huaj, sepse janë vizitorë vendas dhe, siç e tha me kënaqësi kryetari Ahmeti, në Sarandë janë rreth 150 familje nga Prishtina, që kanë blerë apartamente, pra janë bërë banorë të Sarandës. Shtohen përditë lidhjet e ndërsjellta midis vëllezërve të një kombi dhe gjithmonë jeni të mirëpritur, jo vetëm në sezonin turistik, por gjatë gjithë vitit. Slogani për vendasit “Vjen si mik, largohesh si vëlla”, për të riardhur përsëri në vazhdimësi në Sarandën tonë”, tha Stefan Çipa, kryetar i Sarandës.

“Atëherë, ne shkojmë pas bukurisë së madhe të Sarandës, pas vizitorëve të parë kosovarë, që kanë shkuar këtu e 15 vjet dhe tani janë rritur shumë në numër. Ashtu siç ka në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, lagje të shqiptarëve nga Kosova, edhe në Sarandë kanë një bllok apartamentesh, që janë vetëm nga Prishtina dhe zonat përreth. Kjo na inkurajon shumë, që të zhvillojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit. Ashtu siç e tha kryetari Shpend Ahmeti, është tepër interesante fakti që, duhet të nxitemi ne për t’i dhënë udhë ideve, mendimeve, që kanë biznesmenët kosovarë në Shqipëri, që kanë biznesmenët kosovarë në zonën e Sarandës, që kanë biznesmenët nga Saranda këtu në Kosovë”, tha Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se prodhimet e Shqipërisë, të cilat nuk mund të gjenden në Kosovë, duhet të promovohen sa më shpejt në Prishtinë, nga ku – sipas tij – ato produkte mund të arrijnë edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

“Me ketë rast, për mua është kënaqësi që – para fillimit të këtij sezoni turistik në komunën e Prishtinës, – të promovojmë ndoshta edhe kryeqytetin e bregdetit shqiptar, në përgjithësi. E presim kryeqytetin e bregdetit shqiptar, Sarandën, në kryeqytetit e Kosovës, Prishtinë. Gjatë këtyre viteve, numri i investimeve, që shqiptarët e Kosovës po bëjnë në Sarandë, është duke u shtuar. Saranda po bëhet gjithnjë e më atraktive, gjithnjë e më e bukur, gjithnjë e më tërheqëse për të gjithë turistët. Prandaj, sot kemi pasur kënaqësi të flasim edhe më shumë për thellimin e këtij bashkëpunimi. Sot isha i befasuar, pasi kryetari Çipa më tregoi për shumë biznese kosovare, të cilat po hapen në Sarandë, po flasim për biznese të vogla. Tani na thonë se pothuajse gjithë biznesin e furrave, pothuajse e mbajnë kosovarët”, tha Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Në këtë panair, i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, si dhe zyrtarë e qytetarë të dy qyteteve, Prishtinës e Sarandës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA