Ansar: Gati të dëshmoj për Argita Berishën

24/04/2014 00:00

“Argita më ofroi shërbimet e saj dhe unë rashë dakord të bashkëpunoja me
të. Ajo më dërgoi marrëveshjen për të siguruar pagesat e saja për
shërbimet ligjore, përveç të cilave kërkonte edhe 3% si tarifë suksesi.
Unë nuk e nënshkrova këtë marrëveshje, pasi e konsiderova si ryshfet”.

Ky ishte deklarimi tronditës  me zë dhe figure, i  biznesmenit  me origjinë pakistaneze Zafar Ansar, i cili jeton në Suedi, dhënë Top Channel në 26 janar 2013, i cili implikonte zyrën ligjore të Argita Berishës, vajzës së  ish-kryeministrit Berisha, në atë që ai e pëshkruan si praktikë korruptive.

Behet fjalë për një investim që ai kërkonte ta zhvillonte në Shqipëri në fushën e energjetikës me vlerë 100 milione euro.

Zafar Ansar, pas 4 vitesh rikthehet në Tiranë me dëshirën për t’i vijuar projektet e lëna në mes pasi siç deklaron ai “tani Qeveria ka ndryshuar dhe jam këtu për të parë nëse me të vërtetë ndryshimet kanë ndodhur dhe cilat janë mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri”.

Ndryshe nga dy intervistat e mëparshme nëpërmjet ‘Skype’, Top Channel u takua me zotin Ansar në Tiranë, kësaj here balle për ballë, për ta pyetur jo vetëm për planet e biznesit.

Fillimisht ai i përgjigjet pyetjes nëse ndjehet  i keqardhur për atë që ndodhi 4 vite më parë kur nuk mundi të realizonet projektet  pasi u përball me një sërë problemesh.

Top Channel:  Zoti Ansar, mire se erdhet në Top Channel, kësaj here ballë përballë, ndryshe nga herët e shkuara kur ne kemi biseduar me Skype…

Zafar Ansar: Faleminderit. Kënaqësi të jem me ju këtu në Tiranë, siç edhe ju e thatë, ballë për ballë.

Top Channel:  Pas më shumë se 4 vitesh ju riktheheni në Shqipëri. Cili është qëllimi vizitës tuaj?

Zafar Ansar: Qëllimimi kësaj vizite lidhet me eksplorimin e mundësive të tanishme për të mundësuar ato projekte që në nisëm disa vite më pare.Tani Qeveria ka ndryshuar dhe jam këtu për të parë nëse me të vërtetë ndryshimet kanë ndodhur dhe cilat janë mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri.

Top Channel: A ndjeheni i keqardhur për atë që ndodhi 4 vite më parë, kur ju nuk mundët të realizonit projektet tuaja, pasi u përballët me një sërë problemesh?

Zafar Ansar: Natyrisht nga këndvështrimi një biznesmeni është gjithmonë e vështirë kur projektet në biznes nuk realizohen për arsye të ndryshme. Në rastin tonë kishim një dilemë, pasi na u kërkua një shumë parash për atë që na u përshkrua si  tarifë-suksesi prej 3 % nga vajza e Kryeministrit. E gjitha kjo në pikëpamjen time ishte një diçka jo normale. Siç edhe ju tregova në intervistat e fundit që zhvilluam bashkë, nëse ju pajtoni një avokat ata do t’ju kërkojnë një tarifë standarde . Në rastin tonë na u kërkua të paguanim 200 euro për 1 orë pune dhe në fund të kontratës për suksesin e projektit na u kërkua 3 %. Këtë kërkesë për 3%- shin, unë nuk e konsiderova si të drejtë dhe prandaj nuk e nënshkruam kontratën. Ishte për të ardhur keq që ky investim nuk u realizua. Ata që humbën nga ky projekt nuk ishte vetëm kompania ime, por më së shumti populli shqiptar. Nga të tilla projekte populli shqiptar do të përfitonte një energji elektrike të lirë, një numër të madh të punësuarish, me rroga të mira, por asnjë gjë nuk ndodhi. Natyrisht ne humbëm para por në fund ishte populli shqiptar ai që humbi.

Top Channel: Sa të dëmshme ishin për ju apo edhe biznesmenë të tjerë pikërisht këto praktika që përshkruat më sipër? Kompanitë tuaja janë të shkrira në shumë vënde të botës. A jeni përballur në këto vende me një kërkesë për 3% tarife-suksesi  siç ju ndodhi në Shqipëri?

Zafar Ansar: Nëse do të ishim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës avokatët do të na thonin. Do të punojmë falas për ju, pra nuk do të paguani asnjë kosto, por çfarë do të përfitohet do ta ndajmë në mënyrë të barabartë. Kjo është praktika në SHBA. Kurrë nuk jam ndeshur me kërkesën që m’u bë në Shqipëri në asnjë vend tjetër të botës. E gjitha është një diçka tërësisht jo e drejtë, pra që përveç pagesës për orët e punës të avokatëve të shtohej edhe tarifa e suksesit. Prandaj edhe projekti ynë nuk u realizua.Për mua kjo histori më së shumti ishte e dëmshme për popullin shqiptar se sa për ne. Kësaj lloj praktike duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë për mos të ndodhur përsëri me mua apo me të tjerë të interesuar së investuari në Shqipëri.

Top Channel: Në këndvështrimin tuaj si biznesmen, ajo që ju ndodhi 4 vjet më parë është e drejtë të cilësohet si një korrupsion i pastër?

Zafar Ansar:
Nga ajo që kuptova po, pasi një kërkesë të tillë e konsiderova si të pazakontë, që përveç pagesës për orë punë të na kërkohej tarifa e suksesit .Çfarë do të thotë tarife suksesi? Personi ishte me shumë influencë dhe mund ta kishte realizuar këtë projekt.

Top Channel
: Sapo deklaruat se të tilla praktikave duhet t’u kushtohet vëmendje. Sipas jush të tilla praktika a duhet të hetohen nga drejtësia shqiptare?

Zafar Ansar: Unë mendoj se të tilla praktika duhet të hetohen për t’i korrigjuar gabimet. Në të njëjtën kohë ato duhen ndaluar. Kjo për të mirë të vëndit tuaj  dhe biznesmët do të kenë mundësi të investojnë paratë e tyre në Shqipëri.

Top Channel
: Zoti Ansar nëse drejtësia shqiptare do të kërkojë prej jush dëshminë tuaj në gjykatë për atë që e përshkruat si aferë korruptive të vajzës së ish-Kryeministrit Berisha. A jeni i gatshëm të bashkëpunoni?

Zafar Ansar: Llogaridhënies duhet t’i jepet vendi i duhur. Po, unë do ta konsideroja një gjë të tillë. Po.Dua të theksoj se llogaridhënia duhet të zbatohet nga autoritetet përkatëse, kushdo qofshin ato. Jam i gatshëm të testohen të gjitha ato që kam deklaruar. Gjithçka e thënë prej meje është mëse e vërtetë.Nuk ka asnjë tjetër përveç saj.

Top Channel: Le t’i rikthehemi cështjeve të biznesit. Gjatë këtyre ditëve në Tiranë këni zhvilluar disa takime biznesi. A mendoni se tashmë klima e të investuarit në Shqipëri për investitorët e huaj ka ndryshuar?

Zafar Ansar:  Kam dëgjuar të dhëna pozitive nga njerëzit që takoj, komuniteti biznesit, miq të mi. Ata janë shpresë-plotë se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur. Me plot sinqeritet ju them se edhe unë shpresoj shumë që gjërat janë kështu.

Top Channel:
A jeni i gatshëm t’i riktheheni planeve tuaja të investimit të cilat nuk u realizuan në të shkuarën dhe a mund të ndani me ne se cilat janë pikërisht këto plane për të investuar në Shqipëri?

Zafar Ansar
: Ne krijuam një fond privat për infrastrukturën prej 200 milione euro.Mund të rishikohet.Ne jemi të interesuar të investojmë në sistemin e kujdesit shëndetësor, në rafineri si dhe në sistemin e energjisë nëse mundësitë vijojnë të ekzistojnë.

Reagon Argita Berisha: Asnar, shpifës i paguar nga Edi Rama

Shtetasja Argita Berisha, duke marrë shkas nga intervista e biznesmenit Zafar Ansar për Top Channel, ka reaguar përmes një deklarate dërguar mediave. Në këtë deklaratë ajo akuzon kryeministrin Edi Rama se ripërtypi gënjeshtrat e artikuluara nga shpifësit e tij të paguar.

Sipas vajzës së ish-kryeministrit Berisha, “Kjo është historia e një biznesmeni që kërkon të marrë nga Rama, sot kryeministër, të drejtën për të bërë biznes me Ramën dhe që si biletë hyrëse ofron një intervistë politike”.

Biznesmenit në fjalë – thotë Argita Berisha Malltezi – i është kërkuar të paguajë për punën ligjore me tarifa për orë pune, ose me shumë totale në mbarim të projektit, sipas preferencës së tij dhe kjo jo nga unë, por nga një firmë tjetër ligjore.

“Të vetmen faturë që i kam çuar personit në fjalë ka qenë ajo për punën e kryer nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme (rreth 8.000 euro), të cilën ai iku pa e paguar”, vijon Argita Berisha.

Pjesa tjetër e deklaratës është e mbushur me akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për të cilin ajo thotë se, ndryshe nga aktiviteti i saj privat, që ka qenë nën sitën e ILDKP-së, Tatimeve dhe mediave dhe per të cilin ka dhënë llogari publikisht në shumë raste, Rama nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë për veten e tij. 

Top Channel