Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se në momentin kur Kuvendi do të jetë gati, partitë politike do të votojnë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Lidhur me krijimin e kësaj gjykate, kryeministri dhe liderët e tjerë të partive politike u takuan një ditë më parë me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracy Ann Jacobson, me kërkesë të saj.

Në takim ambasadorja u rekomandoi miratimin javën e ardhshme. Por, i pyetur nga Top Channel se kur do të votohet në Kuvend për gjykatën, kryeministri nuk specifikoi një datë.

“Ne jemi takuar si liderë politikë dhe kemi diskutuar me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kurdo që do ta proçedojë kryesia e Kuvendit, partitë politike do të jenë prezente dhe do të shqyrojnë të gjitha mundësitë që të japin përgjigje adekuate dhe të përgjegjshme në rpaort me shtetin, inetersat e qytetarëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE-në. E kam theksuar edhe më herët se mes dy opsioneve tani na ka mbetur vetëm një. Edhe pse kjo çështje është e padrjetë dhe fyese për shtetin e Kosovës, Kuvendi duhet ta marrë vendimin”, deklaroi Thaçi.

Këto komente, kryeministri i bëri të enjten në kuadër të parafushatës, gjatë vizitës në njërën ndër kompanitë farmaceutike në Kosovë. Thaci ndër të tjera përsëriti mbështetjen qeveritare për bizneset në vend. Gjatë vizitës, ai ishte i shoqëruar nga ministri Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ministri i Arsimit Teknologjisë dhe Shkencës, Ramë Buja.

Top Channel