ADN konfirmon bullgarët si prindër të Marias

25/10/2013 16:25

Testimi gjenetik konfirmoi si prindër të vogëlushes Maria, të zbuluar në një kamp romësh në Greqi, një çift bullgar me banim pranë qytetit të Burgasit.

E ëma është identifikuar si Sasha Ruseva, 35 vjeç, nënë e 10 fëmijëve dhe babai bashkëshorti i saj, Atanas.

Bullgarja, pjestare e komunitetit rom, mendohet ta ketë sjellë në jetë vogëlushen në qytetin grek të Lamias, që ndodhet shumë pranë lokalitetit Farsala, ku vajza me flokë të verdhë u gjet javën e kaluar.

Mungesa e ngjashmërisë midis vogëlushes dhe prindërve biologjikë duket se shpjegohet me faktin se ajo ka lindur albine. Një tjetër fëmijë i çiftit rom është gjithashtu albin.

Autoritetet greke u alarmuan nga mungesa e ngjashmërisë së vajzës me “prindërit” e saj në kampin rom ku jetonte dhe ndërhynë duke arrestuar çiftin e kujdestarëve me akuzën e rrëmbimit të fëmijës.

Megjithatë, çifti kujdestar këmbënguli përpara drejtësisë greke se vajza i ishte dorëzuar nga prindërit e saj në mënyrë vullnetare, dyshime që duket se konfirmohen nga të dhënat e para hetimore.

Dokumentet sugjerojnë se zonja Ruseva mund ta ketë larguar vajzën vetë, pasi rezulton që ajo të ketë mashtruar në dokumentet e regjistrimit, që do të thotë se e vogla nuk është regjistruar kurrë zyrtarisht.

Dokumente nga Lamia tregojnë se Ruseva e lindi vajzën më 31 janar 2009. Bëhet fjalë për të njëjtën datë të dhënë për ditëlindjen e Marias nga çifti i romëve që u arrestua më herët gjatë muajit.

Ruseva u përpoq ta regjistronte të bijën 10 ditë pas lindjes, ndërkohë që sipas një dokumenti ajo ka thënë se ishte beqare dhe se nuk e dinte se cili ishte babai i bebes.

Top Channel