I përfshirë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Europë Amfiteatri i Durrësit është inspektuar nga një grup ekspertësh nga organizata “Europa Nostra” dhe përfaqësues të Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim.
Ekspertët kanë nisur një inspektim dy-ditor për të parë nga afër se si mund të zbatohet projekti i diskutuar dhe i miratuar që në muajin maj për këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore europiane.
Ata vizituan galeritë e amfiteatrit, si dhe mozaikun mural të Kapelës, një ndër më të rrallët në rajon. Tre faqet e tij u zbuluan gjatë ekspeditave për nxjerrjen në dritë të Amfiteatrit në fund të viteve ’60.
Raporti që do të përgatitet nga grupi i specialistëve europianë vlerësohet shumë i rëndësishëm pasi ai do të përcaktojë dhe masën e mbështetjes financiare dhe natyrën e ndërhyrjeve në Amfiteatër.
Vendimi pritet të merret më 5 dhjetor të këtij viti në Konferencën Europiane për Politikat e Trashëgimisë që do të mbahet në Bruksel. Përfshirja e Amfiteatrit në listën e monumenteve më të rrezikuara u bë duke marrë në konsideratë nevojën emergjente për restaurim, konservim dhe gërmime të mëtejshme për zbulimin e plotë të këtij objekti me vlera unikale historike, arkitekturore dhe kulturore, si dhe rolin e tij në zhvillimin e turizmit kulturor jo vetëm për qytetin e Durrësit, por dhe të të gjithë turizmit shqiptar.
Në këtë listë përfshihen edhe qendra historike e Nikosias në Qipro, fortifikimet e shekullit të 17-të Vauban në Briançon në Francë, Manastiri i periudhës së Rilindjes në San Benedeto Po në Itali, Manastiri i shekullit të 15-të në Setubal në Portugali, peisazhi i Rosia Montana, një minierë në Rumani dhe kisha armene e Shën Gjergjit në qytetin turk Mardin.
Top Channel