Pas votëbesimit në Parlament të kabinetit dhe programit të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, ai së bashku me ministrat e tij u nis drejt Presidencës së Rebublikës, ku u zhvillua edhe ceremonia e betimit të anëtarëve të qeverisë së re përballë Kryetarit të Shtetit.

Pas ceremonisë, i gjithë kabineti i ri u nis në këmbë nga selia e Presidencës drejt selisë së Kryeministrisë për të zhvilluar edhe mbledhjen e parë të qeverisë së re.

Pas shume vitesh pritjeje në opozitë që prej 2005-ës kur mori drejtimin e PS Edi Rama mbrëmjen e 15 Shtatorit 2013, i dha fund kësaj pritje duke rikthyer socialistët falë aleancës me LSI dhe partitë e tjera të majta në qeverisjen e vendit.

Kryeministri i dorëhequr Sali Berisha nuk ka preferuar t’ia dorëzojë stafetën qeverisëse zotit Rama siç ndodh në të tilla raste me qeveritë Europiane sa herë ka ndërrim pushteti.

Top Channel ka mësuar se asnjë prej bashkëpuntorëve të zotit Berisha nuk e e ka pritur për t’i uruar  mirseardhjen apo t’i dorëzojë dosjet e punës Kryeministrit Rama.

Përpara se të hynin në seli, për të zhvilluar edhe mbledhjen e parë, kryeministri Rama mbajti një fjalim të shkurtër përpara mbështetësve të tij, që kishin dalë ta përshëndesnin në ditën e parë zyrtare të punës. Edi Rama premtoi se pushteti do të jetë i qytetarëve dhe se
qeverisja e këtij vendi do të realizohet me njerëzit dhe për njerëzit.

“Qeveria e re, që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisë për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar, jo për të ndarë, dhe ne do të bashkojmë e nuk do të ndajmë. Ne jemi zgjedhur për të shërbyer dhe jo për të rrëmbyer, dhe ne do të shërbejmë e do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit. Ne jemi votuar për t’i dhënë të gjithë së bashku Shqipërisë sonë të dashur, atdheut tonë të përbashkët, energjitë që të ecë më shpejt për një Rilindje shqiptare dhe të mos humbasë vite të tjera pa fund, në rrugën drejt ëndrrës së Shqipërisë Europiane, drejt Bashkimit Europian dhe drejt përmbushjes së atij amaneti, që vjen nga larg dhe që është edhe misioni ynë. Ne me shumë përulje ju themi të gjithëve se Rilindja që duam nuk mund të vijë brenda natës dhe për Rilindjen që duam kemi nevojë për të gjithë. Ndaj do të qeverisim për njerëzit dhe me njerëzit. Ëndrra ka filluar në dhjetor 1990, me thirrjen ‘Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa’, dhe ne jemi këtu për këtë ëndërr që duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë më e gjallë dhe më e fuqishme se asnjëherë. Falemnderit!”, deklaroi Rama.

Fjala e Ramës u shoqërua me ovacione të qytetarëve të pranishëm para ambienteve të Kryeministrisë.


Rama ne fjalen pershendetese para Kryeministrise

Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij u betuan rreth ores 18:00 në Presidencë perballe Kryetarit te Shtetit.



Betimi i kabinetit te ri

Pas betimit, Rama bashkë me kabinetin e tij realizuan ne hyrje te
Presidences edhe foton zyrtare bashke me kreun e shtetit, Bujar Nishani.


Foto zyrtare pas betimit

Pas ceremonisë i gjithe kabineti i ri u nis me kembe nga selia e Presidences drejt selise se Kryeministrise per te zhvilluar edhe mbledhjen e pare te qeverise se re.


Qeveria ne kembe drejt Kryeministrise

Vendimet e para të Qeverisë “Rama”

Mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave, ashtu siç kishte deklaruar më parë Kryeministri i ri i vendit, Edi Rama, është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndryshe nga tradita e krijuar nga paraardhësi i tij, Sali Berisha, me kabinetin e tij qeveritar, vetëm pak çaste pasi Qeveria e re u betua te Presidenti Bujar Nishani, e pasi Rama foli përpara Kryeministrisë, ku e cilësoi qeverinë e drejtuar prej tij si të të gjithë shqiptarëve dhe për të gjithë shqiptarët.

Në mbledhjen e parë, që zgjati vetëm pak momente, është mësuar se janë marrë 3 vendime. Së pari është caktuar Kodi i Etikës së Qeverisë së re. Së dyti është caktuar që në zyrat e administratës të mos qëndrojë më fotoja e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, por portreti i Ismail Qemalit. Së treti, qeveria e sapoemëruar ka vendosur ndalimin e importit të plehrave.

©Jutta Benzenberg

©Jutta Benzenberg

©Jutta Benzenberg

Ndryshon website i Kryeministrisë

Menjëherë pas votimit të Qeverisë së re në Kuvend, ka ndryshuar edhe website zyrtar i kryeministrisë.

Faqja
zyrtare vjen me një pamje krejt të re, ku në krye të saj janë dy
fjalime të Ramës në Kuvend, pasqyrim i vizitës së tij në Prishtinë si
dhe deklaratat e tij përpara marrjes zyrtarisht të detyrës.

Kabineti i ri

Edi Rama, kryeministër
E ka nisur karrierën politike që në 1990 me krijimin e Partisë Demokratike. Pas largimit u rikthye në 1998 në ekzekutiv si Ministër i Kulturës, post të cilin e mbajti deri në vitin 2000, kur u zgjodh për herë të parë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama qëndroi për 3 mandate deri në vitin 2011. Që prej vitit 2005, Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste.

Niko Peleshi, zv.kryeministër

Drejtues i vjetër lokal i Partisë Socialiste, prej vitit 2007, Niko Peleshi mban postin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, të cilin tashmë është i detyruar ta lërë.

Shkëlqim Cani, ministër i Financave
Prej vitesh në forumet drejtuese të Partisë Socialiste, gjatë vititeve 1997-2004, Shkëlqim Cani ka mbajtur postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Në zgjedhjet e vitit 2013, Cani u zgjodh deputet i qarkut të Dibrës.

Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm
Eshtë zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2009 si përfaqësues i qarkut të Tiranës. Saimir Tahiri mban postin e kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën.

Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes
Ka mbajtur postin e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës në periudhën 2002-2005, ndërsa prej vitit 2009 është deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm
Në vitet 2007-2009, Ditimir Bushati ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, post të cilin e ka lënë në vitin 2009 ku u zgjodh deputet i qarkut të Tiranës.

Klajda Gjosha, ministrie e Integrimit Europian

Zgjidhet deputete për herë të parë në 23 qershor, ndërsa nga janari mbajti vetëm për tre muaj postin e zëvendësministres së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gjithashtu, Gjosha është nënkryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nacip Naço, ministër i Drejtësisë

Prokuror me përvojë të gjatë prej 1992-2008, në vitin 2009 Nasip Naço u zgjodh deputet i qarkut të Beratit si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë viteve 2009-2013, Nasip Naço ka shërbyer si nënkryetar i Kuvendit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Ish-drejtor i Tatimeve në qeverinë Nano 1, gjatë viteve 2003-2005 Arben Ahmetaj ka mbajtur postin e zv.ministrit të Energjitikës dhe Industrisë dhe zv.ministrit të Integrimit Europian. Prej vitit 2009 Arben Ahmetaj është deputeti i Kuvendit të Shqipërisë.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë

Ka shërbyer në administratat e mëparshme socialiste në poste teknike në Ministrinë e Rendit Publik dhe atë të Mbrojtjes. Prej vitit 2009 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Në vitin 2009 zgjidhet për herë të parë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, pas një angazhimi të gjatë në shoqërinë civile.

Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
Prej tetorit 2009 deri në shtator 2010 ka shërbyer si zv.ministër i Transportit dhe Punëve Publike. Më pas është emëruar ministër i Punëve të Jashtme, post të cilin e ka mbajtur deri në vitin 2012, ndërsa prej 2011 Haxhinasto ka mbajtur dhe postin e zv.kryeministrit.

Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Ujërave

Edmond Panariti ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës prej vitit 2011 deri në vitin 2012, kur dhe u emërua si ministër i Punëve të Jashtme.

Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë
Ilir Beqja ka mbqajtur postin e drejtorit të Instituteteve të Sigurimeve Shqoërore. Në vitin 2009, Ilir Beqja u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë, por mandati i tij ju hoq pas një vendimi të Gjykatës Kushteteuese.

Lindita Nikolli, ministre e Arsimit dhe Sportit
Prej dy mandatesh, Lindita Nikolli ka mbajtur detyrën e kryetares së Njësisë Bashkiake numër 1, detyrë të cilën e la në vitin 2013, pasi u zgjodh deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Erjon Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Themelues në vitin 2003 i lëvizjes MJAFT, një organizatë që e drejtoi deri në vitin 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai ishte kandidat për në Kuvendin e Shqipërisë përmes listës civile G99. Në vitin 2011 Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si sekretar për rininë dhe emigracionin.

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës

Mirela Kumbaro njihet si pedagoge, përkthyese dhe publisicte. Nuk ka patur detyra të mëparshme politike.

Lefter Koka, ministër i Mjedisit
Në vitet 2000-2003 anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit. Prej vitit 2003 deri në 2007, Lefter Koka ka mbajtur detyrën e kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Në vitin 2009, ai është zgjedhur deutet i qarkut të Durrësit si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Milena Harito, ministre për Inovacionin e Administratën Publike
E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në degën e Informatikës, në Fakultetin e Shkencave Tiranë, Milena Harito ka kryer studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin Paris VI, “Pierre et Marie Curie”, ku u diplomua në master dhe më pas titullin Doktore e Shkencave në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimeve Elektronike.

Blend Çuçi, ministër për Çështjet Vendore
Blend Çuçi ka mbajtur postin e nënsekretarit për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste.

Ilirjan Celibashi, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Në shkurt të vitit 2001, Ilirjan Celibashi u zgjodh anëtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga Këshilli i Lartë i Drejtësis. Po në shkurt të atij viti ai i zgjodh kryetar i KQZ-së. Qëndroi në këtë detyrë deri në përfundim të mandatit, në prill të vitit 2006. Në vitin 2013 u zgjodh deputet si përfaqësues i qarkut të Fierit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA