Eurovision, Shqipëria eliminohet në gjysmëfinale

17/05/2013 08:35

Shqipëria nuk do të jetë pjesëmarrëse në natën finale të Eurovizionit, pasi vendi ynë nuk arriti të renditej midis dhjetë të kualifikuarve në natën e dytë gjysmëfinale.

Kënga “Identitet”, e interpretuar nga dyshja Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, nuk arriti të binde jurinë dhe publikun europian, i cili votoi i ndarë me nga 50% peshë secili, duke mbetur midis shtatë të eliminuarave të mbrëmjes.

Ky ishte një rezultat zhgënjyes për këngën fituese të Festivalit të Radio Televizionit Shqiptar, mbi të gjitha duke llogaritur se në vitin paraadhësin, nëpërmjet “Suus” të Rona Nishliut, vendi ynë u rendit i pesti, rezultati i tij më i mirë historik në pjesëmarrjen në Eurovision.

Bie në sy fakti që ky edicion ka qenë i pafat për pothuajse të gjithë vendet e Ballkanit.

Ndërsa në mbrëmjen e parë gjysmëfinale, jashtë finaleve mbeti Serbia, Mali i Zi, Kroacia e Sllovenia, në mbrëmjen e dytë u skartua edhe Shqipëria, Maqedonia e Bullgaria.

Kësisoj, Greqia e Rumania janë dy vendet e vetme ballkanike që do të konkurrojnë në finalen e madhe, së bashku me 24 vende të tjera.

Ky edicion i Eurovisionit është duke u zhvilluar në Suedi, në qytetin e Malmos, një vit pas suksesit të këngëtares suedeze Loreen, me këngën e saj “Euphoria”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA