Anëtari tjetër i KQZ-së Jani Jani i propozuar nga PBDNJ-ja deklaroi
ngrirjen e veprimtarisë së tij me argumentin se “Maxhoranca ka cënuar
haptazi veprimtarinë e KQZ-së”.
“Per fat te keq konstatoj,- thotë Jani Jani, – duke marre shkas nga zhvillimet e fundit se forca te caktuara politike dhe konkretisht mazhoranca aktuale haptazi ka ndermarre veprime qe cenojne pavaresine e ketij institucioni duke shkelur ligjin. Gjithashtu vleresoj aktin e doreheqjes se dy kolegeve te mi si zgjedhje te drejte te bindjes se tyre”.
Sipas zotit Jani, ‘per arsye te situatave te krijuara dhe ne pritje te nje reflektimi real, te dukshem te politikes per te hequr dore nga tentativat per te cenuar pavaresine e ketij institucioni, si edhe ne shenje solidariteti me koleget e mi, deklaroj ngrirjen e veprimtarise time formale ne KQZ’.
Pas dorëheqjes nga KQZ-ja të nënkryetarit Denar Biba, anëtares Albana Shtylla dhe ngrirjes së veprimtarisë së Jani Janit, institucioni më i lartë i zgjedhjeve në vend, tashmë ndodhet i paralizuar.
Debate në Parlament
Zhvillimet që lidhen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ishin kryefjala e diskutimeve në Parlament, pavarësisht se rendi i ditës përfshinte diskutimin e një projektligji për patentat europiane.
Astrit Patozi, kreu i grupit parlamentar demokrat akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se eshte duke tentuar të bllokojë zhvillimin e zgjedhjeve.
“Nuk ka më asnjë dilemë, Edi Rama do të prishë zgjedhjet. Duke tentuar bllokimin e KQZ-së, Edi Rama po i shmanget detyrimit të vet kushtetues. Por cilido qoftë vendimi i tij, ligjet e vendit e garantojnë vijimin e procesit dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të mbahen dhe ato do të jenë të lira dhe të ndershme për aq sa i takon kësaj maxhorance, sepse i tillë është edhe synimi i saj”, tha Patozi.
E ndërsa në foltoren e Parlamentit ishte duke folur deputeti socialist Blendi Klosi, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli pati një ndërhyrje, e cila u konsiderua më pas nga kreu i grupit parlamentar socialist Ruçi, si një ofendim i hapur ndaj deputetëve të opozitës.
Blendi Klosi: Edhe pak ditë kanë mbetur që qytetarët të shpëtojnë nga hilet për Sali …(Ndërhyn Topalli: Edhe shkoni për lesh edhe ju!)
“Në cilin Parlamentin të Europës do të gjeni një kryetar parlamenti t’i thotë opozitës: do të ikni për lesh…dhe ju e thoni këtë. Ku jemi? Çfarë po ndodh? Çfarë po bëhet në këtë vend? Jemi dy muaj përpara zgjedhjeve. Institucioni kryesor i zgjedhjeve është në krizë totale, është inekzistent. Si nuk ju vjen marre, para këtij vendi dhe më dërgoni shkresën mua për të plotësuar brenda 48 orëve vendet bosh në KQZ. Cilat vende? Të atij institucioni që e përdhosët? Të atij institucioni që e keni marrë peng? Të atij institucioni që ne e bëmë të depolitizuar dhe ju e politizuat me veprimin dhe aktin që kryet?” tha Ruçi.
Deklarata e Topallit më pas u konsiderua e rëndë edhe nga deputetë të tjerë të opozitës, të cilët thanë se në rast se kjo do vinte nga deputetë të së majtës, Topalli do të mblidhte byronë për t’i përjashtuar.
Teksa Balla ka qenë duke folur nga vendi ka ndërhyrë deputeti i PD Dashnor Sula, replika që kanë tejkaluar edhe etikën normale duke kaluar në fyerje e sharje personale të tij ndaj deputetit socialist. Sic duket edhe në këto pamje, Sula teksa e ka kërcënuar Ballën e ka ftuar atë të vijojnë sherrin jashtë ambienteve të Kuvendit.
Por këto situata në Kuvend kanë qenë të shumta, duke treguar edhe një herë rritjen e tensionit mes palëve që e pati zanafillën nga shkarkimi i anëtarit të propozuar nga LSI në KQZ.
LSI pa grup parlamentar
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit Nasip Naço nëpërmjet sekretares së grupit parlamentar të LSI i ka dërguar kryetares së Kuvendit kërkesën e dorëheqjes së parevokueshme nga ky post.
Kam disa ditë që kam deklaruar dorëheqjen, ka sqaruar Naço, sipas të cilit sot kjo kërkesë është depozituar me shkrim. Nasip Naço po ashtu ka theksuar se sot në kundërshtim me rregulloren e parlamentit, në shenjë hakmarrje, administrata e Kuvendit ka ç’regjistruar grupin parlamentar të LSI-së.
Por kontaktuar nga Top Channel, administrata e Kuvendit ka sqaruar se ky veprim është ndërmarrë pasi tre deputetë demokratë të cilin formonin grupin parlamentar të LSI-së kanë kërkuar largimin prej tij.
Top Channel