Icomos: Trashëgimia në rrezik

17/04/2013 22:50

Një sërë problemesh, të konstatuara gjatë survejimit të qendrave muzeale të Gjirokastrës dhe Beratit, janë renditur në raportin vjetor të Icomos, agjencisë dërkombëtare prestigjioze të mbrojtjes së trashëgimisë.

Raporti i kërkon autoriteteve që, para përfundimit të 2014-ës, të ndërhyjnë në këto monumente, në të kundërt rrezikohet, që Berati dhe Gjirokastra të jenë në listën e Monumenteve të trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Në dokument vërehet shqetësuese situata me ndërtimet pa leje, pranë këtyre zonave, sidomos në Gjirokastër, të cilat, sipas raportit, janë të kategorizuara si monumente të kategorisë së dytë.

Vërejtje tjetër e ekspertëve të huaj është mangësia në burime njerëzore, ajo e indikatorëve të detajuar për monitorimin, lidhur me vlerat e jashtëzakonshme universale, si dhe nevoja për të bërë disa ndryshime tepër të rëndësishme në legjislacionin përkatës.

Shqetësim është edhe mosvlerësimi i duhur nga institucionet vendore, i rëndësisë së një plani menaxhimi të mirëfilltë për këtë trashëgimi. Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Bace, ka pranuar se ka probleme, por dhe se ka patur shumë rezistencë nga grupet e interesit.

Ndërsa drejtori i trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Arbër Kadia, është shprehur se po merren masa për ndryshimin e situatës.

Z. Kadia ka pohuar gjithashtu se, në kuadër të mbrojtjes së vlerave tona kombëtare dhe me rastin e ditës ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në datën 18 prill do të mbahen, në të gjitha qendrat historike në mbarë vendin, një sërë aktivitetesh, të cilat janë të fokusuara kryesisht tek edukimi i brezit të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA