“Bashkëshorti im më dhunon mua dhe vajzën time të mitur, ai kërkon që ne të mbulohemi dhe nuk na lejon të frekuentojmë ambjente publike pa lejen e tij”.
Kjo është një pjesë e padisë së një 30-vjeçareje e cila kërkon urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes në gjykatën e Tiranës.
Është bërë shkak festa e 7 marsit që nëna e dy fëmijëve me inicialet M.D, t’i thotë mjaft dhunës në familjen e saj dhe t’i drejtohet gjykatës për urdhër mbrojtjeje, pasi vajza e saj vetëm 11 vjeç kishte dalë pa lejen e të atit për të blerë lule për mësuesen.
Gruaja pretendon në gjykatë se, së bashku me të bijën dhunohen nga kryefamiljari me argumentin se ato duhet të mbulohen me ferexhe. Avokatja e dy femrave menjëherë pas përfundimit të seances është prononcuar për Top Channel.
“Gruaja dhunohej sistematikisht për shkak të fesë bashkë me të bijën. Atyre u kërkohej të mbuloheshin e të mos dilnin nga shtëpia. Nuk mund t’jua them emrin e tyre spese nuk ma lejon etika. Mendoj se të hënën do kemi një vendim për këtë çështje”, ka deklaruar avokatja Denisa Daka.
Në gjykatën e Tiranës depozitohen dhjetëra padi për dhunë në familje e për këtë ka gjithmonë edhe të shtunën e të dielën një gjyqtar të gatshëm që shqyrton kërkesa të tilla, që duan urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.
Ndërsa dhuna më së shumti në padi shpjegohet për shkaqe nga më të ndryshmet, është hera e parë që një femër i drejtohet gjykatës për marrjen e urdhërit të mbrojtjes për shkak të fesë.
Top Channel