Policia e Shtetit gjatë një komunikimi me median në mesditën e së hënës njoftoi arrestimin e tre personave nën akuzën e kontrabandës, njëri prej të cilëve babai i deputetit socialist Saimir Tahiri.
“Sot, Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Rispedal”, ku u arrestuan në kushtet e flagrancës 3 shtetas për konsumim të veprave penale të ‘kondrabandës së mallrave që paguhen në akcizë’, ‘kondrabandë e mallrave të licensuar’, ‘tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kondrabandë’ si dhe ‘ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë’. U finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme medikamentesh të futura përmes Pikës së Kalimit Kufitar Durrës duke iu shmangur kështu detyrimeve doganore dhe detyrimeve tatimore. Sot në orën 13.00 u bë arrestimi në kushtet e flagrancës për shtetasit e mëposhtëm: Dritan Gjiza, 27 vjec, banues në Tiranë, Bashkim Tahiri, 62 vjec, banues në Tiranë dhe shtetasja Nadire Taga, 63 vjec, lindur dhe banuese në Tiranë », thuhet në komunikatën e policisë.
Sipas policisë për tre muaj me radhë të arrestuarit ishin mbajtur nën përgjim. Sipas dyshimeve të Policisë së Tiranës, shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mundësuar transportimin e medikamenteve, ku siguroheshin në mënyrë të jashtëligjshme në një qëndër shëndetësore në Itali dhe shiteshin në Tiranë.
Sipas komunikatës policore në momentin e arrestimit të 3 shtetasit u kapën në flagrancë duke shkëmbyer medikamentet me vlerë 10 mijë euro në afërsi të rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë, medikamente për diagnoza të ndryshme kurimi si sëmundje kancerogjene, sëmundje nervore etj.
Por avokati Plarent Ndreca thotë se nuk është lejuar të takojë klientin e tij Bashkim Tahirin. Gjatë një deklarate për Top Channel ai shprehet se përsa kohë nuk lihet avokati, të bën të dyshosh që veprimet janë të qëllimshme për të ndikuar në përfundimin e kësaj cështje penale.
“Fakti që Policia e Shtetit nxiton për të bërë një konferencë për shtyp akoma pa u bërë arrestimi në flagrancë tregon se policia po e përdor trofe politik këtë procedurë. Të gjitha këto të lënë të dyshosh se ky procedim penal është i kompromentuar”, thotë zoti Ndreca.
Avokati thotë se në polici është informuar se klienti i tij është kapur vetëm me një qese në dorë me vlerë 100 mijë lekë.
Tahiri: Hetim të plotë. Arrestimi, presion për të më mbyllur gojën
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri ka reaguar në orët e
mbrëmjes së të hënës lidhur me arrestimin e babait të tij, Bashkim
Tahiri, i cili akuzohet nga policia për kontrabandë barnash mjekësore.
Që në nisje të fjalës së tij, zoti Tahiri tha se inkurajon një hetim të
plotë dhe akuzoi kryeministrin Berisha dhe Ministrin e Brendshëm, Flamur
Noka për të mos denoncuar më korrupsionin e qeverisë.
“Askush nuk duhet të qendrojë mbi ligjin, qoftë ky im atë. Unë inkurajoj
cilindo që të hetojë mirë, cilindo, pa përjashtim qoftë edhe tim atë.
Por nuk mund të rri këtu pa e thënë që besoja që këta njerëz, Berisha,
Noka, Kuliçaj, që nuk kanë hezituar për hir të fëmijëve të Saliut të më
gjobisin nëpërmjet policisë, këta njerëz kësaj radhe bënë shumë pak
kundra meje, mbase mund të kishin gjetur ndonjë instrument tjetër për të
bërë më shumë. Garantoj se nuk do më mbyllin gojën për asnjë moment.
Nuk do rri asnjë sekondë pa denoncuar dhe drejtuar gishtin për krimin që
kanë bërë. Nuk do rri kurrë rehat pa garantuar që të gjithë qytetarët
të jenë të barabartë para ligjit. Shpresoj që hetimi për tim atë të
bëhet sa më i plotë dhe shpresoj që edhe fëmijët e Saliut t’i bëjnë
llogaritë mirë sepse kjo cështje, pra barazia para ligjit nuk mbyllet
dot, ashtu si cështja e denoncimeve të opozitës, denoncimeve të mia që
nuk mbarojnë dot me cilindo presion”, tha zoti Tahiri.
Më tej deputeti socialist deklaroi se nuk ishte lejuar që të takohej me babain e tij, ashtu sikundër avokati.
“Nuk me lëjuan të takoj babanë. Kam ardhur këtu si deputet i përkushtuar
ndaj ligjit, të takoj si djali babain dhe nuk më pengon asgjë ta bëj
këtë, por u premtoj këtyre shushunjave që sot jetojnë duke vjedhur
popullin, i garantoj se nuk ma mbyllin dot gojën”, tha ai.
Rama: Hetim të drejtë e të pavarur
Pas njoftimit për arrestimin e babait të deputetit socialist Saimir Tahiri, ka reaguar përmes një deklarate kryesocialisti Edi Rama që nënvizoi se “asnjë shtetas i Republikës së Shqipërisë nuk është mbi ligjin”.
“Zoti Bashkim Tahiri duhet të hetohet deri në fund dhe të gjykohet deri në fund, në mënyrë të drejtë e të pavarur, për akuzën që ka ngritur policia. Fakti që bëhet fjalë për të atin e deputetit Saimir Tahiri, sigurisht nuk e bën të akuzuarin vetvetiu më të pafajshëm. Por pa asnje dyshim i bën akuzuesit vetvetiu më të dyshuar”, shprehet Rama.
Sipas tij dihet botërisht që kjo nuk është goditja e parë e shtetit ndaj familjes së Saimir Tahirit apo ndaj vetë deputetit socialist, i njohur për denoncimet ndaj korrupsionit qeveritar, krimit të organizuar si edhe vetë kupolën drejtuese të policisë.
Kreu socialist sjell në vëmendje ato që i quan gjyqet e orkestruara në dëm të Saimir Tahirit për akuzat e tij ndaj fëmijëve të kryeministrit dhe shton se “natyrshëm lind edhe dyshimi se ky ndalim i orkestruar mediatikisht në kohë reale me një bujë të pazakontë i babait të një deputeti opozitar, mund të jetë hakmarrja politike e babait kryeministër”.
Rama sjell në vëmendje rastin e ndalimit të kryebashkiakut të Kavajës për hakmarrje politike dhe shton se e vërteta nuk vonon shumë të dalë.
Cilado qoftë e vërteta që qëndron pas ndalimit nga policia të babait të Saimir Tahirit, kryesocialisti Edi Rama shpreh solidaritetin njerëzor, por edhe bindjen e plotë për integritetin moral e politik të deputetit socialist, të cilin e konsideron një prej pjesëtarëve më aktivë të skuadrës për një Rilindje Shqiptare dhe kjo ngjarje as nuk e cënon as nuk e kushtëzon konsideratën e lartë për të.
Top Channel