SHBA-Japoni, bashkë kundër Koresë

23/02/2013 11:00

Kërcënimi është i përbashkët dhe ai bërthamor që vjen nga Koreja e Veriut shtyn Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë që të përforcojnë më shumë aleancën e tyre.

Me këtë angazhim janë ndarë presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri japonez Shinzo Abe, i cili u prit në një takim të posaçëm në Shtëpinë e Bardhë.

Në fund të takimit Obama ka nënvizuar se Uashingtoni dhe Tokio janë më të vendosur se kurrë për “reagime të forta” si përgjigje ndaj eksperimenteve të fundit bërthamore të regjimit të Penianit.

Takimi Obama-Abe vjen pas atij mes ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologut kinez në Moskë, të cilët dënuan gjithashtu testin e fundit bërthamor të Koresë së Veriut.

Por nga ana tjetër, ata këmbëngulën se ky test nuk duhet të përdoret si pretekst për një ndërhyrje ushtarake në vendin komunist.

Koreja e Veriut kreu testin e tretë bërthamor pak ditë më parë. Testi u quajt një provokim dhe u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.

Hedhja e bombës së tretë bërthamore nga Peniani dhe testimi më herët i raketës me rreze të gjatë veprimi, shikohen nga ndërkombëtarët si një kërcënim serioz.

Pas testimit bërthamor, Shtetet e Bashkuara deklaruan se po shqyrtohen të gjitha mundësitë që ndodhen në tryezë përsa i përket programit bërthamor të Koresë së Veriut duke nënkuptuar këtu edhe përgatitjen ushtarake.

Top Channel