Kryeministri dhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me një prej eksponentëve kryesorë të botës serbe të krimit.

Bëhet fjalë për Darko Sariç, një prej bosëve kryesorë ballkanas të narkotikëve, prej kohësh në arrati nga drejtësia serbe dhe ato të disa vendeve perëndimore.

Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja “Informer”, sipas të cilës policia zotëron filmime të takimeve të ndryshme të kryera në vitin 2008 mes Daçiç dhe krahut të djathtë të Sariç.

Lajmi, i konsideruar si tepër i sikletshëm për qeverinë serbe, ka nxitur reagimin e ashpër të opozitës, e cila ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit nga posti i tij.

Daçiç, i cili mban dy poste në qeverinë serbe, ka qenë ministër i Brendshëm edhe gjatë presidencës së Boris Tadiç, kohë gjatë së cilës i bie të jenë realizuar takimet e përfolura.

Ndërsa Sariç është ndër personat më të kërkuar të Ballkanit për trafik droge. Klani i tij mori një goditje të rëndë pak vite më parë, kur policia i sekuestroi një sasi prej 2 tonelatash kokainë që nga Argjentina do të mbërrinin në Evropë.

Megjithatë, ai thuhet se ka kapitale të mëdha financiare, një pjesë e të cilave është depozituar në Mal të Zi, me ndihmën e kryeministrit të shumëpërfolur, Milo Gjukanoviç.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA