Mitropolia reagon për dramën

24/01/2013 15:30

Mitropolia e Korçës, përmes një deklarate për shtyp, ka reaguar ndaj shfaqjes së dramës “Shën Maria e Beratit” duke e konsideruar atë denigruese dhe fyese për komunitetin ortodoks.

Vënia në skenë e kësaj drame ka ngjallur shqetësimin e Mitropolisë e cila me anë të kësaj deklarate ka protestuar ndaj këtyre fenomeneve të cilat, sipas saj, cënojnë ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare.

At Ilia Kotani u shpreh: “Denigrimi i ortodoksëve ëhtë denigrim për të gjithë komunitetin. Jemi të shqetësuar që sërish besimi ortodoks goditet. Veprime të tilla nxisin reagimin e çdo besimtari.”

Më herët, drejtoresha e teatrit, Zamira Kita, ka zhvilluar një takim me mitropolitin e Korçës, imzot Johani, ndërsa pas takimit ka pohuar se reagimi i komunitetit dhe Kishës ka bërë që të rishikohet vazhdimësia e shfaqjes: “Diskutuam me mitropolitin për shqetësimet e shkaktuara nga premiera dhe për të respektuar sensibilitetin, ne do ta shikojmë vazhdimësinë e shfaqjes.”

Ka qenë një grup besimtarësh ortodoksë të cilët teksa kanë qenë duke ndjekur ditën e martë shfaqjen, janë larguar nga mesi i saj të revoltuar pasi e kanë interpretuar si një fyerje ndaj Kishës, ndërkohë që ka ardhur edhe një reagim zyrtar i tyre.

Autori i dramës, Namik Dokle, e cilësoi të gjithë atë që ndodhi “një keqkuptim”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA