Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç deklaroi një ditë më parë se
vendi i tij mund ta pengojë avancimin e mëtejshëm të pavarësisë së
Kosovës dhe për rrjedhojë njohjen e saj nga Këshilli i Sigurimit të
OKB-së.

Në një intervistë për një televizion sllovak, Nikoliç tha se më parë duhet të bindet BE-ja dhe më pas shqiptarët e Kosovës që për këtë çështje duhet të nisin seriozisht bisedimet.

“Ta zgjidhim këtë çështje në atë mënyrë që Serbia të mos qeverisë më Prishtinën, por as Prishtina të mos qeverisë në ato qytete të Kosovës ku serbët janë shumicë”, deklaroi Nikoliç.

Presidenti serb bëri me dije se ai do të ndjekë politikën “edhe Lindja edhe Perëndimi”, duke sqaruar se Serbia është e interesuar të ketë raporte tregtare e politike me BE-në, Rusinë, botën arabe, Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine.

“Serbia deri tani nuk ka ndjekur një politikë të tillë, për të cilën unë fola në fushatë. Ajo ka folur për politikën “edhe BE-në edhe Kosovën”, e cila nuk është politika që unë udhëheq”, nënvizoi Nikoliç.

“Natyrisht që ne do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe natyrisht që nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës”, shtoi presidenti serb në intervistën e tij.

Nikoliç pritet të takohet së shpejti me homologen kosovare Atifete Jahjaga, e cila njoftoi një ditë më parë se, takimi në fjalë i shërben dialogut që po zhvillohet mes qeverive të dy vendeve.

“Takimi i paralajmëruar për një kohë të gjatë pritet të mbahet shumë shpejt”, thuhej në një komunikatë të Presidencës kosovare, duke mos përcaktuar një datë të saktë.

Nga ana tjetër, këshilltarë të presidentes Jahjaga kanë thënë më herët gjatë javës se gjasat janë që ky takim të mbahet në muajin shkurt apo mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA