Ambasadori gjerman në Serbi, Heinz Wilhelm ka deklaruar se anëtarësimi i
Kosovës në OKB është një çështje që duhet të trajtohet në tryezë e
bisedimeve në Bruksel.
Në një prononcim për të përditshmen serbe “Veçernje Novosti”, Wilhelm ka nënvizuar se Berlini dëshiron që marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës të ngirhen në nivel ambasadorësh.
“Për ne kjo është një çështje e rëndësishme, por në këtë moment unë nuk mund të them nëse ajo do të jetë vendimtare për dhënien e datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit me Serbinë”, ka thënë Wilhelm.
“Së pari, ne do të presim raportin e Komisionit Evropian dhe të Catherine Ashton mbi prpgresin në dialog. Palët do të shqyrtojnë më pas raportin dhe do të marrin vendimin përfundimtar”, ka vijuar ai.
Diplomati gjerman ka rikujtuar se vendi i tij e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, arsye për të cilën Berlini do të donte të shihte ngritjen e raporteve mes Beogradit e Prishtinës në nivel ambasadorësh.
“Por Serbia nuk e njeh Kosovën. Megjithatë, ne jemi të kënaqur edhe me marrëveshjen për shkëmbimin e zyrtarëve ndërlidhës për të punuar me misionin e BE-së në Beograd dhe në Prishtinë”, ka thënë Wilhelm.
Ai ka shtuar më tej se, kjo është një gjë pozitive, por ka nënvizuar se ka ende shumë gjëra të tjera të rëndësishme që duhet të adresohen.
Deklarata acaron Beogradin
Deklarata e ambasadorit gjerman në Beograd, Wilhelm, se Berlini mendon që për këtë çështje duhet diskutuar në Bruksel, ka nxitur reagime në Serbi.
Disa zyrtarë e kanë quajtur provokim të qëllimshëm këtë gjë, ndërsa opozita nacionaliste ka vlerësuar se duhet pasur kujdes për interesat e Serbisë, pasi ky është rezultat i kapitullimit.
Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë më parë se është i gatshëm të bisedojë për temën e Kombeve të Bashkuara, por Kosova duhet të jetë e gatshme për të diskutuar për gjithçka dhe për të ofruar.
Megjithëse Kosovës i duhen edhe rreth 20 njohje për t’u bërë anëtare e OKB-së, në bazë të rregullave me dy të tretat e votave, Asambleja e Përgjithshme mund të marrë një vendim të tillë.
Top Channel