Policia e Kosovës ka arrestuar 9 persona të përkatësisë etnike serbe, të cilët kanë krijuar dyshime tek zyrtarët policorë të Kosovës që po siguronin eskortën e zyrtarit serb, Aleksander Vulin.

Drejtori i Zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë është lejuar të hyjë në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Top Channel mëson jo zyrtarisht se të ndaluarit kishin qenë vazhdimisht në përcjellje të eskortës së Vulin me dy automjetet e tyre.

Sipas një komunikate të policisë, personat e dyshuar janë ndaluar pasi kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshje të njëjtë.

“Për arsye sigurie sot në Graçanicë policia ka ndaluar 9 persona, të cilët i ka shoqëruar në polici për të bërë verifikimin e tyre”, sqaron Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Jo zyrtarisht mësohet se të nëntë personat e arrestuar janë truprojet e Vulin dhe se mbanin shenja të “Mbrojtjes Civile”, që njihet si organizatë ilegale e Serbisë në Kosovë.

Vulin erdhi në Kosovë mëngjesin e së hënës për të marrë pjesë në liturgjinë e Krishtlindjeve Ortodokse në Manastirin e Graçanicës, që ndodhet afër Prishtinës. Ai vetë ka mohuar se personat e ndaluar po e shoqëronin atë.

“Çfarë drejtësie është kjo kur janë arrestuar 9 persona vetëm pse kanë ardhur në Graçanicë?! Ai është i vetmi faj i tyre”, ka thënë Vulin.

Këtë deklaratë Vulin e bëri pak minuta pas orës 14 dhe më pas ai u nis në këmbë për në stacionin policor në Graçanicë, që ndodhet pak metra larg nga manastiri, ku ishte takuar me përfaqësuesin Special të BE-së, Samuel Zhbogar.

Por, rrugës zyrtarët policorë të Kosovës ia kujtuan se leja e tij për të qëndruar në Kosovë mbaronte në ora 14, dhe më pas ai u përcoll nga Policia e Kosovës për në kufi me Serbinë, megjithë lutjet që të qëndronte edhe pak minuta në Kosovë.

Më herët, qeveria e Kosovës i është përgjigjur negativisht kërkesës së presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, për të vizituar Kosovën, me arsyetimin se vizita të lidervë serbë mund të ndodhin vetëm në bazë të reciprocitetit, pra kur edhe liderët e institucioneve të Kosovës lejohen të vizitojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë së hënës se festimet e Krishtlindjeve Ortodokse kanë kaluar pa ndonjë incident, ndërkohë që ka njoftuar edhe për një numër të ulët të pelegrinëve serbë që kanë ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në liturgjitë fetare.

Shqetësuese ka qenë festa në Mitrovicë ku kremtimi i Krishtlindjeve ortodokse serbe në veri të  qytetit është shoqëruar me të shtëna të shumta të armëve.

Nikoliç reagon pas refuzimit të vizitës

Presidentit serb, Tomisllav Nikoliç nuk i ka kaluar inati për shkak të
ndalimit të hyrjes në Kosovë. Por, komentet i ka ruajtur për
Krishtlindjet Ortodokse, të cilat Kisha Serbe i feston me kalendarin e
vjetër, me 7 janar.

Presidenti, gjatë një ceremonie me rastin e festës për të cilën edhe kishte kërkuar të shkonte në Kosovë ka thënë se çfarë shërbejnë bisedimet atëherë nëse atij nuk i lejohet të shkoj në Kosovë.

“Kjo gjë do të jetë një bazë për bisedimet e ardhshme”, ka thënë Nikoliç duke akuzuar Bashkimin Evropian. “Unë nuk kam kërkuar të shkoj në një mision politik, por në një mision fetar, por atje nuk ka njerëz që besojnë në Zot”, ka thënë presidenti serb. Ai ka thënë se më nuk do të kërkojë leje pasi e di që ajo do t’i refuzohet. Nikoliç ka theksuar se nuk ka pritur nga shqiptarët që t’ia lejojnë vizitën, por bashkësia ndërkombëtare nuk ka kaluar në provim. Sipas tij, Serbia nuk duhet të shkojë nën kërkesat e paraqitura me platformën e saj për Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA