“Këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga e Futbollit Mbarëkombëtar. Duhet të uleni së bashku me ministrin e Sporteve të Kosovës, të bëni projektin dhe të zhvillohet Liga Mbarëkombëtare. Tani edhe infrastruktura e lejon këtë. Kështu, tifozi i skuadrës së Mitrovicës mund të vijë fare lehtë ta ndjekë ndeshjen Flamurtari-Mitrovica në Vlorë, apo atë Prishtinë-Tiranë. Natyrisht, në Ligë do të përfshihen të gjitha ekipet shqiptare”.
Ky është propozimi që kryeministri Sali Berisha bëri të premten në mbledhjen e qeverisë në vazhdën e nismës “Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën”, si projekti më i mirë për të ardhmen e shkëlqyer të shqiptarëve në rajon.
Kjo nismë është ndërmarrë disa vite më parë nga tifozët kuqezinj dhe është publikuar pikërisht më 4 janar edhe nga Aleanca Kuqezi, por me një ndryshim të vogël, jo më 2013 por një vit më parë në 2012.
“Brenda këtij vitit të bëhet kampionati, të bëhen bisedime të gjera mes federatave, klubeve dhe tifozëve, për të marrë një vendimmarrje sa më të gjerë”, deklaroi Redi Ramaj, drejtor ekzekutiv i AK.
Por sa është e mundur që të organizohet një ligë mbarëkombëtare? I kontaktuar në telefon nga Top Channel, presidenti i FSHF-së Armando Duka ka theksuar se kjo ide është diskutuar dhe mbështetet nga drejtuesit e FSHF-së.
Por sipas tij, dëshira e madhe për t’u bashkuar në futboll has një pengesë ligjore pasi statuset e organizmave ndërkombëtare e ndalojnë një gjë të tillë.
Federata Kosovare e Futbollit nuk është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s, aty ku aderon Federata Shqiptare e Futbollit, e cila në bazë të statutit të UEFA-s ka të drejtë të jetë organizatorja e një kampionati futbollistik vetëm brenda territoreve të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Dukës, për realizimin e këtij projekti nuk mjafton vetëm dëshira e dy shteteve shqiptare, por duhen respektuar edhe disa rregulla të statuteve të UEFA-s dhe FIFA-s.
Top Channel