Në ditën e 29 të grevës së urisë, ish të përndjekurit kanë denoncuar
veprimet antiligjore të disa personave, të identifikuar prej tyre si
efektivë të policisë, të cilët kanë hyrë në mbrëmje në çadrën e
grevistëve dhe i kanë marrë me forcë disa medikamente dhe mjete të
nevojshme për grevistët e urisë.
Pas njoftimit te bere prej grevisteve, Komisioneri i Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, i bëri thirrje Qeverisë të lejoje futjen ne mjediset e greves të lëngjeve të domosdoshme, ndërsa policise i bëri thirrje të ruajë qetesinë.
“Ata më shprehën shqetësimin serioz se mbrëmë kanë hyrë disa persona civilë, që janë prezantuar si policë, por pa u identifikuar dhe u kanë hequr çajin, trisolin, kafen, sheqerin. I bëj thirrje policë të fusë lëngjet që janë jetike për jetën. Organet shtetërore duhet të reagojnë për problemet që ata kanë ngritur”, tha Nushi.
Edhe Partia Socialiste ka reaguar e shqetesuar, pas denoncimit te grevisteve per heqjen nga çadra te lengjeve dhe medikamenteve. Perfaqesuesja e opozites, Keti Bazhdari, tha se Kryeministri Berisha po drejton nje regjim te ngjashem me ate te Enver Hoxhes dhe veprimet kunder kujdesit minimal per grevistet po ndërmerren pas kërkesës për dialog së zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit, Filip Riker.
“Doktor Berisha e di mirë që t’u heqësh elektrolitet dhe sheqerin këtyre burrave, do të thotë t’u shkatërrosh organet vitale. Megjithatë ai ka treguar se është një dictator dhe vazhdon të sillet si i tillë. Mua që nga mosha e vogël më kujtohet një shprehje, e cila të ngjallte frikë atëherë ‘hedhim valle në gojë të ujkut’. Kështu u kundërvihet ambasadave dhe trupit diplomatik, Sali Berisha, gjoja drejtuesi i shtetit të së drejtës”, tha Bazhdari.
Pak para mesdites, ne emer te grevisteve, ish i denuari politik, Fatmir Lamaj, tha se hyrja e personave te panjohur ne çadren e grevisteve ishte nje nderhyrje brutale e policise, qe, sipas tyre, ndodh per here te dyte, nje here kur grevistet takuan presidentin Nishani dhe tani, qe ndihmes sekretari amerikan i shtetit Filip Riker kerkoi dialog per zgjidhjen e situates. Grevistet i bene thirrje kryeministrit berisha te mos perpiqet te shuaje greven, por te gjeje arsye dhe te ulet ne bisedime me ta.
“Kjo do thotë se sa herë që Berisha merr sinjal pozitiv, sic ishte edhe rasti i Riker, që i bëri thirrje për dialog Berishës, tendenca e tij është që ta cojë grevën drejt shuarjes, por këtë nuk do e arrijë dot. Nëse do kufomat ja ku i ka t’i marrë, nëse do të gjejë pak arsye, nëse i ka mbetur le të ulet dhe të bisedojë”, tha grevisti.
Totozani: Gjendja e grevistëve po degradon
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka vizituar pasditen e së shtunës ish-të përndjekurit në grevë urie. Në një prononcim për mediat në përfundim të vizitës, Totozani e ka vlerësuar situatën e grevistëve si tepër të rëndë, për faktin se atyre nuk u lejohen lëngjet, serumet dhe ilaçet.
“Për disa ditë unë mbush 10 muaj si Avokat i Popullit. Mund t’ju them se kam parë shumë gjatë këtyre 10 muajve. Kam pasur të bëj me problematika nga më të ndryshmet, por vizitë më të vështirë dhe më të dhimbshme sesa kjo e sotmja nuk kam pasur. Kjo vizitë më bind që situata të tilla duhet t’i kemi sa më të rralla, ose të mos i kemi fare”, ka thënë Totozani.
“U njoha me problemet e grevistëve dhe ajo që mund të them është se mora informacion nga ata se u janë ndaluar lëngjet, serumet dhe ilaçet. Ne kemi pasur një komunikim me Policinë e Shtetit, i kemi shkruar zotit Hysni Burgaj një letër ku kërkojmë që mediat, familjarët dhe lëngjet të lejohen të futen në çadër. Sot kam konstatuar se kjo gjë u është ndaluar”, ka theksuar avokati.
Zoti Totozani u ka drejtuar një apel personave përgjegjës që kanë dhënë këtë urdhër, që ta tërheqin atë në mënyrë të menjëhershme. “I kujtoj kujtdo që ka dhënë këtë urdhër, që në mënyrë miqësore të ketë kujdes, sepse ky urdhër është në ekstremitetet e degradimit çnjerëzor”, ka theksuar Totozani.
Avokati ka kujtuar se një urdhër i tillë ndalohet nga konventat ndërkombëtare dhe ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e kësaj situate të rëndë. “Ky është një akt që dënohet nga konventat e BE-së. Iu kërkoj të gjithëve që të ulin tensionet, grevistëve, qeverisë, kryeministrit, etj. Të kthehet qetësia dhe me gjakftohtësi të fillojnë një dialog konstruktiv”, ka shtuar Totozani.
Top Channel