Në kombinatin mekanik të Poliçanit ripaketohen fishekë kallashnikovi si prodhim i ri, destinacioni i të cilëve nuk dihet.
Ajo që u mohua nga ministri i Mbrojtjes disa ditë më parë u vërtetua në “Fiks Fare”, që për herë të parë solli pamje ekskluzive të ripaketimit të fishekëve në Kombinatin Mekanik të Poliçanit.
Kamera e “Fiks Fare” ka arritur të futet në një nga repartet e këtij kombinati, i cili ruhet me ushtarë dhe ka arritur të xhirojë të gjithë proçesin, që nga sjellja e fishekëve në ambjentet e kombinatit, nxjerrjes së fishekëve të kalibrit 7.62 mm nga kutitë e vjetra metalike, pastrimin e tyre dhe paketimin në kutitë e reja të drurit.
Ndërkohë që në arkat e drurit ku ripaketohen këta fishekë, vendoset data e prodhimit 1/09/2012. Ky është i njëjti proçes që kryehej edhe në Gërdec, ku fishekët e vjetër ripaketoheshin si prodhim i ri për t’u shitur.
Investigimi i “Fiks Fare” është kryer pas denoncimit të kryetarit të bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka, i cili kërkoi ndihmën e këtij emisioni për të treguar atë çfarë ndodh realisht në në këtë kombinat.
“Fishekët që sillen në këtë kombinat për demontim, proçes i cili është financuar nga ana e vendeve të NATO-s dhe kryesisht nga qeveria amerikane, në vend që të shkatërrohen po ripaketohen dhe përdoren për t’u shitur, pikërisht në ato vënde që janë kundër Amerikës”, ka denoncuar Zotka.
Zotka kërkon me këmbëngulje që të ngrihet një grup hetimor dhe të hetojë atë që po ndodh në repartet e Kombinatit Mekanik të Poliçanit, pasi sipas tij, po kryhet i njëjti proçes ripaketimi që bëhej edhe në Gërdec.
Top Channel