Negociatat për kufirin me Greqinë

27/08/2012 00:00

Qeveria vazhdon të jetë e paqartë në informacionet e saj lidhur me bisedimet me Greqinë për rinegocionmin e marrëveshjes.

Ministri i Jashtem, dy jave më pare foli për grupe ekspertësh që kishin nisur punën, ndërsa Kryeministri mohoi kategorikisht si grupet e punes ashtu edhe bisedimet.

Dy jave pas deklarates se pare, ministri i Jashtem ndryshon mënyren e formulimit te përgjigjes lidhur me këto bisedime. Ai nuk përdor termin “grupe pune”,  por theksoi se brenda Ministrisë së Jashtme kësaj çëshje është duke iu kushtuar një trajtesë teknike.

“Nuk ka negociata, nuk as negociatorë dhe nuk ka grupe pune për negociata me Greqinë, përsa i përket marrëveshjes ujore detare me këtë vend. Natyrisht që është normale që brenda institucioneve, të ketë një trajtesë teknike dhe në këtë kuptim është mëse normale që Ministria e Punëve të Jashtme të merret me këtë çështje sikundër merret me shumë çështje të tjera të rajonit apo të përmasave globale. Nëse ne do të na duhet dhe besoj që do të na duhet të bisedojmë në të ardhmen me autoritetet greke për çështjen e marrëveshjes ujore, kjo do të behët gjithmonë në respekt të vendimit të GjykatësKushtetuese, në respekt të kunshtetutës së vëndit në respekt të ligjeve ndërkombëtare”, tha Panariti.

Ndalimin për mos të hyrë në territorin grek të gazetarit të Top Channel Marin Mema, Ministri Panariti e cilësoi si një ngjarje shumë të rëndë.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë që ka ndodhur me gazetarin e nderuar të Top Channel, zotin Marin Mema. Menjëherë Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar. Kemi kontaktuar autoritetet greke iu kemi bërë të ditur që ne presim sqarime për arsyet e ndalesës së gazetarit. Jemi në pritje të sqarimeve më pas do të ndërmarrim hapat respektive në funskion të përgjigjes që do të na vij nga ambasada greke”, tha Panariti.

Vlen për t’u theksuar se edhe në të shkuarën kur shtetas shqiptarë janë ndaluar të hynë shtetin grek Ministria e Punëve të Jashtme është interesuar pranë autoriteve greke. Por kjo Ministri nuk ka bërë publike nëse ka marrë përgjigje nga shteti grek për të tilla raste, siç ishte ai ndër më flagrantët, kur gjykatësit qe denuan kreun e OMONIA ne Korcë per shkatërrimin e varreve te Boboshtices, Entela Prifti, Brunilda Mano dhe Afërdita Maho, të cilat shteti helen i ndaloi të hynin në territorin grek nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës me argumentin se janë të padëshiruara për shtetin grek dhe të rrezikshme për rendin dhe sigurinë e vendit.

Top Channel