Të shtëna në zemër të Nju Jorkut

24/08/2012 00:00

Një tjetër ngjarje e rëndë me armë zjarri është verifikuar në Shtetet e Bashkuara, këtë herë në Nju Jork, ku dy persona janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur përpara Empire State Building.

Lajmin e bën të ditur rrjeti informativ CNN, sipas të cilit të shtënat janë dëgjuar pak para orës 09:00, me orën lokale, në zonën mes Rrugës 34 dhe Bulevardit të Pestë.

Sipas raportimeve online, atentatori, një nga dy personat e vrarë, mbeti i vdekur nga të shtënat e forcave të policisë, që e kanë qëlluar tre herë.

Autoritetet policore, të cilat bashkë me FBI-në kanë rrethuar dhe kanë rritur praninë në zonën ku ka ndodhur ngjarja, deklarojnë se ajo nuk duket të ketë lidhje me terrorizmin.

Qarkullimi në Bulevardin e Pestë, një arterie e rëndësishme e trafikut rrugor, është mbyllur, ashtu si dhe hyrjet që të çojnë në Manhatan, njofton më tej CNN.

Ngjarja ndodh pak kohë pas asaj të verifikuar në Kolorado, ku një person i armatosur hyri në një kinema teksa jepej premiera e filmit “Batman” dhe hapi zjarr duke vrarë 12 persona.

Por skenari i saj është ndryshe, pasi autori ka qenë një person që është pushuar nga puna një vit më parë dhe në shenjë hakmarrjeje ka hapur zjarr, duke vrarë ish-punëdhënësin e tij.

Empire State Building është një nga grataçelat më të famshme të botës dhe një nga atraksionet turistike kryesore të Nju Jorkut.

Çdo vit rreth 4 milionë persona vizitojnë ndërtesën, që me gjatësinë e saj prej 442 metra arrin më shumë se çerek milje në qiell.

Ndërkohë, dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar se autori mbante në duar një armë të madhe dhe ka qëlluar të paktën tre herë.

Sipas tyre, një roje sigurie e ndoqi atë drejt Bulevardit të Pestë dhe ndihmoi në njoftimin e forcave të policisë, të cilat kur mbërritën hapën zjarr ndaj tij.

Max Kaplan, banor i Nju Jorkut, thotë se dëgjoi të paktën nëntë të shtëna dhe se makina të shumta ambulance mbërritën në vendin e ngjarjes pas tyre.

“Ne në zyrë u tronditën shumë kur dëgjuam të shtënat”, deklaron 22-vjeçari, i cili në momentin e ngjarjes ndodhej në punë.

Ndërsa një banore tjetër, Rebecca Fox, që punon në anën tjetër të rrugës përballë Empire State Building, thotë se po pinte një kafe me kufjet në vesh kur papritur pa njerëzit të vraponin.

Më pas, shton ajo, pa një grua të plagosur dhe gjak të derdhur në rrugë. “Aty ishte një skenë e tmerrshme”, thotë Fox. 

Top Channel