Assange, Correa paralajmëron Britaninë

21/08/2012 00:00

Mbretëria e Bashkuar do të bënte një “vetëvrasje diplomatike” nëse do të përpiqej të futej në embasadën tonë në Londër, ka deklaruar presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa.

Kreu i shtetit tha se një lëvizje e tillë do të hapte një seri problemesh për ambasadat britanike në mbarë botën, pasi do t’u jepte mundësi vendeve të ndryshme të hynin në të.

Zoti Correa po mbante një fjalim në televizionin shtetëror në lidhje me çështjen e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange.

Australiani është strehuar në ambasadën ekuadoriane që prej muajit qershor dhe i është ofruar azil nga Ekuadori, për t’i shpëtuar ekstradimit.

Mbretëria e Bashkuar deklaron se është e detyruar të ekstradojë zotin Assange në Suedi, ku ai do të përballet me akuzat për agresion seksual, të cilat i mohon.

Problemi qëndron në faktin se themeluesi i Wikileaks nuk del dot nga ambasada, pasi do të arrestohej menjëherë nga autoritetet britanike, të cilat i kanë nisur proçedurat e ekstradimit.

Dy ditë më parë ai u shfaq në një ballkon të misionit diplomatik ekuadorian në ndërtesën e “Harrods”, për t’u kërkuar Shteteve të Bashkuara që të ndalin gjuetinë e shtrigave kundër Wikileaks dhe të arkivojnë hetimin e FBI-së kundër kësaj faqeje interneti.

Për zgjidhjen e çështjes janë vënë në lëvizje diplomacitë ndërkombëtare, ajo londineze, amerikane, suedeze, por edhe ato të 12 vendeve latine. Gjithashtu, vetë stafi i Wikileaks ka bërë një ofertë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA