Assange, diplomacitë në lëvizje

20/08/2012 20:40

Pas skenës në ballkon, Julian Assange është kthyer prapa kuintave. Londra i ka duart e lidhura, detyrimet e saj ligjore i imponojnë të ekstradojnë Assange në Suedi, por diplomacitë po punojnë për një rrugëdalje për t’u shkëputur nga telashi ku i futi 62 ditë më parë themeluesi i Wikileaks, kur u strehua në ambasadën ekuadoriane në Londër.

“Australiani duhet të ekstradohet në Suedi dhe Mbretëria e Bashkuar është e detyruar ta bëjë këtë”, ka deklaruar të hënën Downing Street, duke shtuar se gjithësesi po përpiqet për të gjetur një zgjidhje diplomatike duke biseduar me Ekuadorin dhe subjekte të tjera të papërcaktuara, por që me hamendësi mund të identifikohen.

Kjo, pasi përveç Stokholmit janë Shtetet e Bashkuara që mund të duan ta gjykojnë Assange për faktin se bëri publike sekrete shtetërore, një krim ky më i rëndë se akuzat për agresion seksual të ngritura nga prokuroria suedeze dhe që mund të çojë në dënimin me vdekje.

Kështu të paktën pretendon Assange, i cili një ditë më parë u shfaq në një ballkon të misionit diplomatik ekuadorian në ndërtesën e “Harrods”, për t’u kërkuar Shteteve të Bashkuara që të ndalin gjuetinë e shtrigave kundër Wikileaks dhe të arkivojnë hetimin e FBI-së kundër kësaj faqeje interneti.

Një ftesë për dialog ka mbërritur edhe nga ministrat e Jashtëm të UNASUR, Unioni i Kombeve Amerikano-jugore, të mbledhur në Guajakil të Ekuadorit.

Mbështetje dhe solidaritet Kuitos zyrtar dhe një dënim për “kërcënimin” britanik për të shkelur imunitetin e ambasadës ekuadoriane, ka qenë qëndrimi i përbashkët i shefave të 12 diplomacive latine.

Ndërkohë, një ftesë për “dialog direkt” për arritjen në një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët është bërë edhe nga vetë drejtuesit e Wikileaks.

Zëdhënësja e web site-t, Kristinn Hrafsson foli për një mënyrë që sipas saj do të çonte në zjgidhjen e ngërçit, që parashikon daljen e Assange nga strehimi dhe paralelisht një angazhim i shkruar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Suedia, se sapo të jetë transferuar në Stokholm, australiani nuk do të ekstradohet në SHBA.

Assange druhet se nëse dërgohet në Amerikë, do të përfundojë njësoj si Bradley Manning, ushtaraku dhe informaticieni amerikan që shkarkoi dokumente sekrete nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni për t’ia dhënë Wikileaks-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA