Ndaj autorit të masakrës së kinemasë në Denver të Kolorados, James Holmes, janë ngritur plot 142 akuza penale, për ngjarjen që ishte ndër më të rëndat në Shtetet e Bashkuara.
Ai përballet me 24 akuza për vrasje, dy prej të cilave për secilin nga 12 personat e vrarë, dhe 116 akuza për tentativë vrasjeje, dy për secilin nga 58 të plagosurit.
Për çdo person të vrarë ai përballet me një akuzë për vrasje, të shoqëruar me vrasje nën kushtet e indiferencës ekstreme. Nëse dënohet, 24-vjeçari mund të përballet me dënimin me vdekje.
Ai hapi zjarr në një sallë kinemaje gjatë shfaqjes së filmit “Batman”, në zonën e Aurorës, në Denver, më 29 korrik.
Gjyqtari ka ndaluar kamerat në seancën e së hënës dhe për rrjedhojë nuk ka pasur pamje të autorit, që u shfaq i çuditur gjatë seancës së parë të javës së kaluar.
Holmes raportohet se këtë herë ka ndenjur i qetë dhe nuk ka shfaqur shenja emocioni gjatë seancës, teksa përpiqej të kontrollonte shikimin e tij.
Gazetari i “Denver Post”, John Ingold njofton se i riu nuk është shfaqur shumë i tensionuar, por i vëmendshëm për të dëgjuar.
Të mbijetuar të masakrës dhe familjarë të viktimave kanë ndjekur proçesin që është zhvilluar gjatë ditës së hënë, ndërsa persona të mbledhur jashtë gjykatës mbanin parulla drejtuar vrasësit të tipit “U prefsh në paqe”, duke aluduar kështu dhënien e dënimit me vdekje.
Top Channel