Dikur një qendër e rëndësishme industriale, Camden në Nju Xhersi, SHBA, është shndërruar tashmë në një pirg gjigant rënojash dhe një kryeqendër e kriminalitetit.

Në fillim të shekullit të shkuar, Camden fitoi papritur një rëndësi të shtuar dhe u bë një qendër e rëndësishme, pasi në të u zhvendos një kantier ndërtimi i luftanijeve amerikane, që punësonte 36 mijë punëtorë.

Me mijëra punëtorë të tjerë u punësuan në shërbime, në shkolla, spitale, restorante e gjithçka tjetër, duke i dhënë jetë një qyteti të lulëzuar, prej rreth 200 mijë banorësh.

Megjithatë, braktisja e kantierit dhe krizat e fundit ekonomike e kanë gjunjëzuar përfundimisht qytetin, ku tashmë jetojnë vetëm 70 mijë banorë dhe është i mbushur me shtëpi të braktisura e ndërtesa fantazmë.

Me 40% të qytetit të papunë dhe një kriminalitet jashtëzakonisht të lartë, eksodi i braktisjes së Camden vazhdon me ritme prej deri disa mijëra në vit.

Në total, qyteti ka mesataren më të lartë të kriminalitetit në vend, me 34 vrasje, 60 përdhunime, 766 vjedhje të armatosura, 1 880 krime të dhunshme, 2 251 vjedhje ordinere dhe 137 zjarrvënie të qëllimshme në vit për 100 mijë banorë.

Top Channel