Fillimi i procesit të hapjes së Zyrës Administrative në Veri të Mitrovicës ka përqendruar vëmendjen pothuajse të të gjithëve, vendorë e ndërkombëtarë.

Edhe serbët e asaj pjese, rrugët e së cilës vazhdojnë të mbahen të bllokuara, duken jashtëzakonisht të interesuar të punojnë në këtë zyrë që do të hapet nga Qeveria e Kosovës.

Konkursi për 50 vende të lira pune është mbyllur të enjtën në ora 16:00 dhe shifrat tregojnë për një interesim të madh.

Zëvëndëskryeministri dhe Ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç, ka thënë për Top Channel pak çaste pas mbylljes së konkursit se më shumë se 1 mijë aplikacione janë dorëzuar, e prej tyre më shumë se 250 janë të serbëve nga Veriu.

Edhe për të marrë postin e shefit të Zyrës Administrative nga 6 aplikime, 4 janë bërë nga serbët.

Sipas zëvëndëskryeministrit Petroviç, kjo është një porosi e mirë për Kosovën, në kohën kur zyrtarët e Qeverisë këmbëngulin që do të ketë dialog vetëm me qytetarët e asaj pjese për t’i bindur edhe ata që të pranojnë institucionet e Kosovës.

“Sigurisht se kjo është një porosi e mirë, parasëgjithash jo vetëm për komunën e re në veri të Mitrovicës, dhe të gjithë atij regjioni në përgjithësi, se pikërisht mos-zgjidhja e problemit të veriut nuk është vetëm problem i Kosovës apo i Serbisë, por gjithë komunitetit ndërkobëtar, parasëgjithash Bashkimit Europian, i cili e udhëheq dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dëshiroj të besoj që këto procese do ta lehtësojnë komunikimin dhe dialogun, dhe thjesht ky është një rast që fjalët të kthehen në vepra. Pikërisht kjo është esenca, që në mënyrë praktike t’i çasemi qytetarëve tonë dhe në mënyrë konkrete t’u mundësojmë një jetë më të mirë”, deklaroi Sllobodan Petrovic, Zëvëndëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal.

Sidoqoftë, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e cila është thënë se do të ofrojë shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, përmes Zyrës synohet koordinimin i angazhimeve dhe investimeve të Qeverisë në këtë pjesë të Kosovës.

Top Channel