Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e së hënës tryezën për politikat fiskale, ku të pranishëm ishin kreu i saj, Edi Rama, politikanë dhe ekspertë të grupeve të interesit.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se politika, sipas tij, e gabuar fiskale e qeverisë solli rritje zero të ekonomisë.
“I sugjeruam qeverisë të zbusë klimën e acaruar që ka krijuar për biznesin. Por qeveria refuzoi sugjerimin për ngrirjen e përkohshme të taksave ndaj biznesit. U deshën 2 vjet e gjysmë që të dëgjoheshin propozimet tona, por tani s’kanë efekt”, deklaroi Rama.
Ai u shpreh se sot, borxhi i shqiptarëve nuk është 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por është shumë herë më i lartë.
“Qeveria ka një borxh ndaj sipërmarrësve, ndaj qytetarëve, ndaj pronarëve, ish-të përndjekurve. Sot borxhi është të paktën 100 për qind e PBB-së së vendit”, theksoi Rama.
Ai shtoi se borxhi publik pas vitit 2005 është rritur me 3 miliardë dollarë dhe rritja e tij e vazhdueshme i kushton çdo familjeje 55 dollarë në muaj.
Një tjetër paradoks, siç e quajti Rama, është pagesa e taksave më të ulëta që bëjnë zyrtarët, duke filluar nga kryeministri, ministrat e tij dhe më poshtë.
Një tjetër detaj i përmendur nga lideri i opozitës ishte edhe privatizimet abuzive, që sipas tij bëhen qëllimisht për të favorizuar monopolet e bizneseve.
“Të ulen taksat për mësuesit, mjekët, policët. Propozimin e ka, ne jemi gati ta votojmë. Gjithashtu, të ulë akcizën e naftës pasi është e domosdoshme. Propozimin kryeministri e ka, ne e votojmë”, shtoi Rama.
Top Channel