Suksesi britanik i Rita Ora

07/03/2012 00:00

Këngëtarja me origjinë shqiptare me banim në Londër, Rita Ora, në intervistën e saj të parë për një media televizive shqiptare, tregon rrugëtimin dhe suksesin e saj në muzikën britanike, e cila mbrriti kulmin këto ditë me vendin e parë në klasifikimin muzikor me këngën Hot Right Now, në bashkëpunim me DJ Fresh.

Sensacioni shqiptar tregon se sa e rëndësishme është për të ngjitja e këngës së saj në “Numrin 1” në klasifikimin muzikor britanik.

Top Channel: Rita Ora ju keni arritur një sukses që deri më tani asnjë artist shqiptar në zhanrin tuaj nuk e ka patur, duke qenë “Numri 1” në Angli. Sa i rëndësishëm është ky sukses për ju?

Rita Ora: Të jesh numri një në Londër më ka emocionuar e gëzuar pa masë. Dua që të gjithë njerëzit të dinë që ne mundemi të arrijmë atë cka duam.  

Rita Ora e lindur më 1990 mbërriti në Angli nga Prishtina po atë vit që edhe ka lindur. Top Channel ka mësuar se origjina e saj e largët është nga Shkodra. Ajo është rritur në Londrën Perëndimore në zonën Earls Court.

Rita Ora është kontraktuar përpara tre vjetësh nga Roc Nation, kompania muzikore e themeluar nga reperi i famshëm Jay-Z. Lajmi i fundit nga suksesi i saj është një turne i sapo publikuar me grupin mjaft të suksesshëm britanik Coldplay, që fillon në stadiumin e Emirates të Arsenalit në Londër për të vazhduar në vende të ndryshme europiane.

Vetëm në 14 dhjetor të vitit të kaluar Rita Ora nxorri  në Youtube këngën Hot Right Now në bashkëpunim me DJ Fresh, ku videoja ka arritur tashmë mbi 9 milionë klikime dhe luhet nga të gjitha radiot dhe programet muzikore televizive në Britani.

Top Channel: Ju e dini që Top Channel ka një festival mjaft të suksesshëm sic është edhe Top Fest ku ju kanë ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë në natën finale. Do ta pranoni këtë ftesë?

Rito Ora:
Jam shumë e lumtur dhe mezi po pres dhe do të shkoj kur të vijë koha e duhur. Dua që të gjithë të ndihen krenarë që së fundmi po bëjnë dicka për muzikën, Prishtinën, Shqipërinë dhe Kosovën.

Ngjitja e Rita Orës në majat e muzikës britanike dhe ato botërorë në një treg mjaft konkurues si dhe kontrata e saj me kompani mjaft prestigjoze dhe performancë me grupe mjaft popullore, janë premisa të një suksesi të garantuar dhe  afatgjatë.

Ora e suksesit të këngëtares me origjinë shqiptare me banim në Londër, Rita Ora tashmë ka mbërritur dhe kritika muzikore britanike e vlerëson atë ndjesi, që për kufi ka “qiellin”.  

Top Channel