Reali i Madridit merr një fitore shumë të vuajtur në kampionatin spanjoll përballë Rajo Vajekanos. Në Vajeka, skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo fitoi me rezultatin 1-0 në një ndeshje nga e cila skuadra vendase meritonte të merrte diçka më shumë.
Reali i Madridit ishte larg asaj loje të shfaqur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe vetëm goli fantastik me thembër i Kristiano Ronaldos i dha suksesin, ndërkohë që Rajo Vajekano pati disa mundësi për të shënuar, por që në asnjë moment nuk e dërguan topin në rrjetë.
Në minutën e fundit, Rajo Vajekano mbeti me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit të Miçu me karton të kuq për një faull ndaj Kedirës.
Edhe Barcelona mban hapin e madrilenëve duke mundur Atletico Madrid në “Vicente Calderon” me rezultatin 1-2. Për katalanasit shënuan Dani Alves dhe Messi, ndërsa për ekipin kryeqytetas barazoi përkohësisht Radamel Falcao.
Në këtë mënyrë, Real mban edhe për këtë javë distancën prej 10 pikësh në krye të klasifikimit ndaj katalanasve të Pep Guardiolës.
Valencia befasohet në Mestaja duke u mundur nga Sevija me rezultatin 2-1. Skuadra e Unai Emeri kaloi në avantazh në minutën e 25 me anë të Tino Kostës, por Sevija e ndërpreu festën e valencianëve pasi barazoi me anë të Medel. Në pjesën e dytë andaluzianët bënë që në stadium të pllakosë heshtja duke shënuar edhe golin e dytë me anë të Navas i cili u gjet i vetëm përballë portës së Valencias falë edhe një pasimi të Kanute.
Në ndeshjet e tjera të Ligës BBVA, Vijarreali barazoi me Atletik Bilbaon 2-2, Osasuna mundi Granadën 2-1, ndërsa Real Sociedad fitoi me Majorkën 1-0.
Top Channel