Interi nuk po mundet të dalë nga gjendja e vështirë në Serinë A. Skuadra zikaltër pësoi një tjetër humbje, këtë radhë ndaj Napolit në “San Paolo” me rezultatin 1-0.
Napoli e sigloi këtë fitore në pjesën e dytë të takimit me golin e Ezequiel Lavezzi. Më pas gjithçka foli për skuadrën e Mazzarit që krijoi edhe shumë raste për shënim, madje iu anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje. Megjithatë Napoli arriti të ruajë avantazhin e krijuar dhe e sheh veten në vendin e pestë me 40 pikë.
Lazio u rikthye te fitorja. Skuadra e Edi Rejës mundi në Olimpiko Fiorentinën me rezultatin 1-0. Ai që vendosi fatin e këtij takimi ishte Miroslav Klose që shënoi golin e vetëm të ndeshjes pas një pasimi të Hernanes.
Nuk zhgënjeu as Udinese që fitoi ndaj Bolonjës 3-1. Për friulanët shënuan Di Natale, Basta dhe Floro Flores, ndërsa për kuqeblutë goli i vetëm u shënua nga Kone.
Atalanta shkatërroi Romën me rezultatin 4-1. Skuadra bergamaske bëri një ndeshje perfekte përballë verdhekuqve që ishin në fushë pa Daniele De Rosin dhe Simon Kjaer. Seria e golave për Atalantën u hap në minutën e dhjetw me anë të Marilungos pas një kundërsulmi. Nuk vonoi shumë dhe zikaltwrit i çuan shifrat në 2-0 me anë të Denis.
Roma u përpoq të reagonte dhe në minutën e 36 shkurtoi diferencën në 2-1 me anë të Borinit. Në pjesën e dytë gjërat u përkeqësuan për skuadrën e Luis Enrique që pësoi edhe 2 gola të tjerë me të njëjtin autor, German Denis që regjistron trigolëshin e tij të parë në Serinë A. Kësaj goleade i shtohet edhe fakti që Roma e mbylli ndeshjen me 9 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Osvaldos dhe Kasetit.
Me rezultatin 4-1 fitoi edhe Siena ndaj Palermos në artemio Franki. Një kontribut në këtë sukses të bardhezinjve dha edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare Erion Bogdani që shënoi golin e dytë për skuadrën e tij, ndërkohë që shënuan emrin e tyre edhe Terzi, Rosetini dhe Brienza. Për Palermon golin e nderit e shënoi Budan.
Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Kaljari u munf nga lece 2-1, Katania mundi Novarn 3-1, ndërsa Kievo fitoi me Cezenen 1-0.
Top Channel