Gjykimi i Ish-komandantit të frocave serbe të Bosnjes, Ratko Mlladiç, është shtyrë për më 14 maj, njoftojnë mediat ballkanase.
Gjykata e Hagës kishte caktuar më parë 27 marsin si datë për nisjen e proçesit, por ajo u shty pasi avokatët e Mlladiç kërkuan më shumë kohë për t’u përgatitur.
Gjenerali serb, i njohur ndryshe si “Kasapi i Bosnjes”, akuzohet për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve ’90 në Bosnje.
Në veçanti, ai konsiderohet si përgjegjësi kryesor për masakrën e Srebrenicës, ku u vranë rreth 8 mijë burra e djem myslimanë, në kuadër të spastrimit etnik.
Ratko Mlladiç u arrestua në maj të vitit të kaluar në një fshat jo shumë larg Beogradit pas pothuajse 15 vitesh në arrati dhe u ekstradua menjëherë në gjykatën e Hagës.
Për të njëjtat akuza në Hagë po gjykohet edhe Vojisllav Sheshel, lideri ultranacionalist serb, i cili muajin e kaluar kërkoi dy milionë euro shpërblim me pretendimin se gjykata i ka shkelur të drejtat.
Po muajin e kaluar, lidhur me masakrën e Srebrenicës, një gjykatë boshnjake dënoi me 31 vjet burg një ish-zyrtar të policisë serbe, Radomir Vukoviç.
Top Channel