Vojisllav Sheshel, lideri ultranacionalist serb në proces në gjykatën e Hagës për krime lufte, ka kërkuar dy milionë euro shpërblim.
Sheshel ka akuzuar gjykatën se ka shkelur vazhdimisht të drejtat njerëzore ndaj tij gjatë periudhës 9-vjecare të burgimit.
Akuzat ndaj Sheshel kanë të bëjnë me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera në Bosnje e Kroaci mes viteve 1991-1993 ndaj popullsive jo serbe, kryesisht myslimane dhe kroate.
Mal i Zi, 4 dënime për krime lufte
Lidhur me krimet e luftës të ndodhura gjatë periudhës së shpërbërjes së Jugosllavisë, një gjykatë në Mal të Zi ndëshkoi disa ditë më parë, me dënime që variojnë deri në katër vjet burg, disa ish-ushtarë që kishin kryer krime ndaj robërve kroatë gjatë konfliktit në vitet 1991-95.
Katër ushtarët u shpallën fajtorë nga gjykata për torturim të të burgosurve në një kamp të improvizuar në fshatin Morinj, ndërsa dy të tjerë u shpallën të pafajshëm për mungesë provash.
Dënimet u dhanë në kuadër të procesit të dytë të cështjes, pasi më herët Gjykata malazeze e Apelit e kishte kthyer atë mbrapsht.
Shkëputja e Kroacisë nga Jugosllavia në vitin 1991 shkaktoi një luftë katërvjecare të shkaktuar nga komuniteti serb, i cili i mbështetur nga Beogradi e kundërshtonte pavarësinë.
Në këto vite, në ushtrinë e Jugosllavisë, të drejtuar nga serbët, kishte edhe ushtarë malazezë, përfshirë katër të dënuarit në procesin në fjalë.
Srebrenica, 31 vjet burg ish-policit serb
Po disa ditë më parë, Gjykata për Krime Lufte në Bosnjë e Hercegovinë dënoi me 31 vjet burg një ish-zyrtar të policisë serbe të këtij vendi.
Gjykata vërtetoi se Radomir Vukovic kishte marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, në ekzekutimin e të paktën 1 mijë burrave e djemve myslimanë.
Ndërsa një tjetër ish-zyrtar i policisë, Zoran Tomic, i pandehur në proces për akuza të ngjashme, u lirua për shkak të mungesës së provave.
Në masakrën e Srebrenicës, në vitin 1995, forcat serbe vranë barbarisht mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë, në kuadër të fushatës së spastrimit etnik ndaj popullsive joserbe.
Përgjegjësi kryesor për masakrën e përgjakshme konsiderohet ish-komandanti i trupave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladic, i cili ndodhet në proces gjyqësor në Hagë.
Top Channel