Të izoluarit, thirrje për ndihmë

14/02/2012 00:00

Me mijëra thirrje për ndihmë vijne çdo ditë nga zonat e bllokuara nga
dëbora. Njerëzit atje thonë se shtëpitë po shkatërrohen dhe çatitë po i
zenë brenda.

Kërkesat kryesore janë për ushqime, ilaçe dhe emergjenca mjekësore. “Jemi bllokuar në fshatin Topojan të rrethit të Pukës, ku bora ka arritur në 2 metra. Bora ka izoluar banorët”, thotë një banor.

Një tjetër banor nga Dibra shprehu me anë të telefonatës shqetësimin për bllokimin e rrugëve, ndërsa një banore nga Hasi thotë se nuk ka asnjë ndihmë në ushqim për 12-13 komuna të zonës. “Nuk ka asnjë ndihmë, as nga ajri, as nga toka”, thotë zonja nga Hasi.

Një telefonues nga komuna Golaj thotë se janë disa familje, të cilat kanë nevojë emergjente për ushqim, kurse një person tjetër thotë se është i shqetësuar për familjen e tij në Theth, ku bora ka arritur në nivelin e katër metrave, ndërsa çatitë e disa banesave janë shembur.

Zonat me me shume thirrje per ndihme jane Puka, Kukesi, Dukagjini dhe Hasi. Ata prej gati tre javesh nuk mund te levizin as disa metra larg shtepive te tyre. Nuk kanë më energji elektrike.

“Situata nuk është alarmante vetëm për fshatrat e thella të Pukës. Atje sigurisht është një katastrofë, por e tillë mbetet edhe në qytet”, thotë një telefonuese nga Puka.

Një banor tjetër nga Puka thotë se nuk i ka mbetur më asgjë dhe ai dhe familja e tij ka nevojë emergjente për ushqim.Një grua shtatzënë ndodhet e bllokuar në fshatin Arrën dhe familjarët kërkojnë përmes medias që shteti t’i vijë në ndihmë. Situatë e rëndë është edhe në Gurraj e Martanesh.

Ne keto zona ka shume shtepi te veçuara nga njera-tjetra qe kane humbur çdo kontakt. Banoret nuk kane folur prej ditesh me te afermit dhe keta te fundit jane te shqetesuar per prinderit e moshuar qe kane lene ne shtepi.

“Po telefoj nga Amerika dhe jam e shqetësuar për familjen time në Vermosh të Malësisë së Madhe. Atje nuk ka as drita, as rrugë të hapura. Ju lutem bëni cfarë të mundni për të hapur rrugët që banorët të kalojnë. Ju lutem ndihmoni fshatin sepse banorët janë në gjendje shumë të keqe. Nuk e di nëse familjarët e mi janë të gjallë apo të vdekur”, thotë një tjetër telefonuese.

Bllokime rrugesh dhe fshatrash ka edhe ne jug te vendit. Zona me problematike eshte malesia e Oparit dhe veçanerisht komuna Lekas dhe disa fshatra prane, te cilat nuk kane asnje komunikim prej tre javesh.

“Ju flas nga komuna e Lekasit, kemi tre javë të bllokuar këtu. Të gjitha furnizimet kanë mbaruar. Nuk kemi as bukë, as ilace, as ushqim për bagëti nuk ka. Nuk mundemi të lëvizim askund”, thotë një telefonues.

Banoret e izoluar shpresojne që dikush të degjojë thirrjen e tyre per t’u shkuar ne ndihme veçanerisht te semureve, te moshuarve dhe familjeve te varfra qe nuk kane me as buke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA