Kryetari ilegal i komunës së Leposavicit, në veri të Kosovës, Branko Ninic ka deklaruar se mbajtja e referendumit në komunat me shumicë serbe duhet të shtyhet.
Ninic ka theksuar se liderët serbë në këtë zonë të Kosovës duhet t’u vënë veshin deklaratave të bëra nga disa diplomatë të rëndësishëm evropianë.
“Disa diplomatë evropianë kanë vlerësuar se mbajtja e referendumit do të ketë pasoja negative në procesin e integrimit evropian të Serbisë”, ka deklaruar Ninic.
Komuna e Leposavicit ka qenë e vetmja që ka hezituar për referendumin, ndërkohë që liderët e komunave të tjera janë shprehur të vendosur që referendumi të mbahet sipas parashikimeve.
Ata votuan vitin e kaluar për mbajtjen e referendumit në muajin shkurt, përmes të cilit qytetarët serbë do të vendosin nëse duan t’i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës.
Një lajm i tillë nuk u prit mirë nga Beogradi, e në vecanti nga vetë presidenti serb Boris Tadic, i cili kritikoi serbët e veriut duke thënë se referendumi vetëm sa do të rëndojë më tej situatën.
Gjithashtu, kundër referendumit janë shprehur edhe zyrtarë të tjerë serbë, të cilët sugjerojnë se e gjithë bota e di se serbët e Kosovës nuk do t’i pranojnë kurrë institucionet e Prishtinës.
Ndërsa më herët gjatë muajit sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic u sugjeroi kryetarëve ilegalë që të hiqnin dorë nga referendumi.
Top Channel